Ilir Meta paralajmëron bllokim të paktit me Greqinë

Ilir Meta paralajmëron bllokim të paktit me Greqinë deri në ngritjen e Kushtetueses: Për çështjet e veçanta duhet mendimi i gjykatës

Presidentit Ilir Meta ka dhënë dje sinjale se pakti detar me Greqinë mund të mbetet i bllokuar deri në ngritjen e Gjykatës Kushtetuese. Edhe pse nuk është bërë ende finalizimi i marrëveshjes, Meta do të jetë ai që duhet të firmosë variantin final, me qëllim që ai të shkojë në Parlament. Por Presidenti po tregon çdo ditë se ky pakt mund të bllokohet dhe ai do të tentojë që të mos mbajë përgjegjësi për cilësinë e marrëveshjes. Që më herët, Meta dha sinjale se kjo çështje do të dojë kohë, ndërsa dje ka paralajmëruar se mund të presë ngritjen e Gjykatës Kushtetuese. Dje kreu i shteti dëgjoi thirrjet e opozitës dhe ktheu për rishqyrtim ligjin për shembjen e Teatrit Kombëtar. Por në të njëjtën kohë ai paralajmëroi se dhe pakti me Greqinë do bllokohet. Në pikën e fundit të argumenteve për kthimin e ligjit, Meta ka deklaruar se për çështje të rëndësisë së veçantë duhet që të jetë Gjykata Kushtetuese ajo që duhet të japë mendime. Vetë kreu i shteti e ka thënë më herët se pakti me Greqinë është shumë i rëndësishëm. “Së fundmi, në kushtet aktuale, kur Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë nuk është funksionale për të verifikuar këto konstatime, apo për të zgjidhur çdo mosmarrëveshje kushtetuese që mund të prodhojë hyrja në fuqi e kësaj norme të veçantë ligjore, ftoj Kuvendin e Shqipërisë, të rishqyrtojë në tërësi ligjin”, ka deklaruar dje Meta. Me këtë deklaratë kreu i shteti e ka bërë deri diku të qartë se do të presë ngritjen e Gjykatës Kushtetuese për firmosjen e paktit. Por nëse ndiqet kjo rrugë atëherë brenda këtij viti nuk do ketë ndarje të re të detit. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka mbetur me 5 anëtarë dhe Kushtetuesja ndodhet në kolaps total. Vetingu është përshpejtuar por derisa anëtarët e rinj të Kushtetuese të kalojnë procesin do të duhen shumë muaj. Kjo do të thotë se pakti detar do të marrë shumë kohë.

Përplasjet për detin

Kufiri detar mes Shqipërisë dhe Greqisë ka qenë mollë sherri mes dy vendeve. Sali Berisha në vitin 2009 arriti një marrëveshje me Athinën, por që Gjykata Kushtetuese e rrëzoi, duke bërë që të nisin dhe hetime nga prokuroria. E gjithë përplasja mes dy vendeve ka qenë sa i takon naftës, pasi Greqia pretendonte të merrte rezervat më të mëdha që ndodhen në Jon. Megjithatë tani duket se po arrihet një marrëveshje e re. Sa i takon të dhënave aktuale, qeveria ka arritur të bindë grekët të tërhiqen nga marrëveshja e 2009 dhe të hartohet një marrëveshje e re. Marrëveshja e re parashikon rimarrje të pjesës që u shit në paktin e vitit 2009. Sipas marrëveshjes, në ngushticën mes dy vendeve, që është 1.8 milje detare, 0.6 milje i takojnë Shqipërisë, 0.6 milje Greqisë dhe 0.6 milje janë ujëra ndërkombëtare. Në pjesët e tjera aplikohet vija e mesit, duke llogaritur edhe një hapësirë për lundrim ndërkombëtar, distanca këto të bazuara në Konventën Ndërkombëtare të Detit. Për sa i përket zgjatimit të sovranitetit grek me 12 milje, sikundër ka thënë edhe ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias, ajo do të bëhet nga të dy vendet njëkohësisht. Në marrëveshjen paraprake mes dy vendeve, sqarohet se llogaritja e 12 miljeve do të bëhet nga ishulli i fundit i banuar në 1913, periudhë që mes dy vendeve është caktuar një vijë e përafërt kufitare./Sot