Ilir Meta: Kushtetuta është vija e kuqe

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta: Presidenti do të kërkojë mbështetjen e mbarë popullit shqiptar, që përmes referendumit të mbrojë Republikën

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, në një deklaratë për mediat ka folur në lidhje përvjetorin e 21-të miratimit të Kushtetutës së vendit, por edhe për zhvillimet e fundit politike dhe për krizën në Gjykatën Kushtetuese, transmeton Anadolu Agency (AA).

Meta theksoi se 22 nëntori i vitit 1998, është një datë historike për të gjithë shqiptarët, pasi sipas tij, për herë të parë populli shqiptar në mënyrë të drejtpërdrejt miratoi përmes referendumit Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë postkomuniste.

Meta duke iu referuar edhe zhvillimeve të fundit mbi krizën në Gjykatën Kushtetuese, tha se “Shqiptarët të hapin sytë, të marrin fatin e tyre në dorë, në mbrojtje të Kushtetutës dhe që fëmijët e tyre të mos ikin më nga sytë këmbët në atdheun e tyre. Kushtetuta e Republikës është vija e kuqe dhe e kuqe flakë, e pakalueshme nga armiqtë e saj dhe të Republikës së gjithë shqiptarëve”.

“Jemi në kushtet ku qeveria nuk është llogaridhënëse ndaj askujt në Republikën e Shqipërisë, ku pushteti ekzekutiv është unifikuar me pushtetin legjislativ dhe ku numri kushtetues të përcaktuar qartë prej 140 deputetësh të Kuvendit ai nuk e plotëson dot më prej gati 10 muajsh. Presidenti do të kërkojë mbështetjen e mbarë popullit shqiptar, që përmes referendumit të mbrojë Republikën”, u shpreh Meta.

Kriza në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë 

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë aktualisht nuk është funksionale për shkak të procesit të reformës në institucionet e sistemit të drejtësisë, pasi ende nuk janë zgjedhur të gjithë anëtarët e saj. Në lidhje me këtë proces ka patur mosmarrëveshje mes institucioneve.

Anëtarët (9 gjithsej) zgjidhen nga Kuvendi, presidenti dhe Gjykata e Lartë, ndërsa aktualisht për të njëjtin vend janë zgjedhur dy kandidatura, një automatikisht sipas listës së përgatitur nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi dhe një tjetër nga Presidenti Ilir Meta, duke shkaktuar mosmarrëveshje mes institucioneve.