Ibrahim Kalin: Çdo mbështetje e PYD/YPG-së është mbështetje e dhënë PKK-së

Zëdhënësi i Presidencës, Ibrahim Kalin u prononcua në interes të gazetarëve pas mbledhjes së Kabinetit Presidencial.

Zëdhënësi i Presidencës, Ibrahim Kalin bëri të ditur se Turqia e konsideron çdo mbështetje që i jepet PYD-së dhe YPG-së si mbështetje për organizatën terroriste PKK.

Ibrahim Kalin gjithashtu tha se Turqia nuk i cilëson organizatat terroriste si “të mira dhe të këqija”.

Duke potencuar se “çdo mbështetje direkte ose indirekte që i jepet PYD-së dhe YPG-së është mbështetje për organizatën terroriste PKK”, zëdhënësi i Presidencës tha se “Ne nuk bëjmë dallime në organizata të mira dhe të këqija terroriste”.

Ibrahim Kalin gjithashtu bëri të ditur se Republika e Turqisë ashtu si deri më sot edhe në të ardhmen do të vazhdojë me një vendosmëri të plotë luftën e saj kundër kërcënimit të terrorit me të gjitha institucionet e saj.

Duke komentuar marrëdhëniet e SHBA-së me PYD/YPG-në, Kalin tha: “Pritja kryesore e Turqisë nga SHBA-ja, që është aleate e jonë në NATO dhe partnere strategjike, është t’i japë fund të gjitha angazhimeve të saj me PYD/YPG-në, fraksionin sirian të organizatës separatiste terroriste PKK”.

“Përpjekjet për legalizimin e PYD-së dhe YPG-së si një organizatë që nuk ka të bëjë me terrorin dhe si një organizatë të ndarë nga PKK-ja janë të kota”, shtoi Kalin.

Zëdhënësi i Presidencës nënvizoi se Turqia nuk do të lejojë kurrë strukturimin e një grupi terrorist në lindje të lumit Eufrat.

Përfaqësuesi special i ShBA-së për Sirinë, James Jeffrey kishte deklaruar se PYD/YPG-në, e cila është fraksion i organizatës separatiste terroriste PKK në Siri, nuk e konsiderojnë si organizatë terroriste.

Jeffrey gjithashtu pretendoi se “kuptojnë shqetësimet e Turqisë për lidhjen mes PKK-së dhe PYD/YPG-së”./TRT