I vendosen tritol pas ndeshjes së Botërorit, çfarë dëshmoi në polici pronari lokalit?

I vendosën tritol lokalit pas ndeshjes Gjermani – Suedi, zbardhet dëshmia e pronarit

Dalin detaje të reja lidhur me ngjarjen e ndodhur mesnatën mes të shtunës dhe të dielës, ku në një lokal në lagjen “Partizani”, Burrel, pak pas përfundimit të ndeshjes Gjermani-Suedi, u vendos tritol.

Rreth orës 00:40, në qytetin e Burrelit, në pjesën e jashtme të dritares së lokalit të Besnik Kolës, banues në Burrel, është gjetur një kallëp i mbështjellë me lëndë plasëse, i cili nuk ka shpërthyer.

Ka qenë ndërhyrja e policisë ajo që ka bërë çaktivizimin, pa shkaktuar dëme.

Gjatë marrjes në pyetje nga policia, i zoti i lokalit Besnik Kola ka thënë se nuk ka konflikte me njeri, ndërsa uron që shënjestra të mos ketë qenë lokali i tij.

“Kam punuar për disa vite jashtë vendit dhe me kursimet e mia kam hapur këtë biznes familjar”, ka thënë ai, duke mos ditur të drejtojë gishtin askund.

Lokali i Kolës shërben edhe si bar edhe si restorant dhe gjatë ndeshjeve të Kampionatit Botëror, klientela ka qenë edhe më e madhe.

Një nga pistat kryesore ku është përqendruar policia është ajo e konkurrencës.

Lënda plasëse është pikasur nga kalimtarë të rastit, për shkak të erës së fitilit, ku është boshatisur lokali dhe është bërë çaktivizimi.