I shpallur në kërkim për falsifikim të dokumenteve shkollore, kapet në pikën kufitare të Muriqanit 42-vjeçari

Një 42-vjeçar nga Tirana i cili ishte shpallur në kërkim, është vënë në pranga nga policia në pikën kufitare të Muriqanit.

Në vitin 2021 ai është dënuar me 4 muaj burgim, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve shkollore”. Veprimet e tjera procedurale për këtë shtetas do të kryhen nga DVP Tiranë.

Gjithashtu një 30-vjeçar është nën hetim pasi është kapur në Koplik duke transportuar me automjet 3 emigrantë afganë, për t’i ndihmuar që të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme.

Një i ri 18-vjeçar nga fshati Grudë, Shkodër është nën hetim, pasi gjatë kontrollit iu gjet një sasi lënde e dyshuar kanabis, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Po ashtu një tjetër 34-vjeçar nga fshati Qerret në Pukë është nën hetim, pasi u kap në hyrje të qytetit të Pukës, duke transportuar rreth 3 m3 lëndë drusore të prerë në mënyrë të paligjshme.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.