Falë mbretit Ronaldo dhe falë magjive të portierit Rui Patricio, Portugalia merr fitoren e parë në Botërorin rus dhe merr përkohësisht kreun e grupit.
Cristiano Ronaldo monumental për Portugalinë. 5 herë fituesi i “Topit të Artë” shënoi golin e vetëm të Përfaqësueses Luzitane në përballjen e dytë në Grupin B ndaj Marokut, duke hedhur një hap të sigurt drejt kualifikimit, teksa në ndeshjen e tretë formacioni i Fernando Santos do të përballet me Iranin.
Një ndeshje e bukur, e luftuar, me emocione pa fund, që në fund pa luzitanët triumfues, por me siguri sot e gjithë bota ndihet e keqardhur për Marokun e pafat, që eliminohet pa shënuar asnjë gol deri tani, edhe pse të paktën sot meritonte të shënonte 2-3 gola.
Në futboll vlejnë pikët dhe Portugalia e bëri detyrën, por fitorja 1-0 nuk është pasqyrë e asaj që u pa në fushë.
Maroku me siguri do të fitojë ndonjë çmim ngushëllimi si ekipi më i pafat në Botëror, sepse në ndeshjen hapëse kundër Iranit dominoi, por shënoi autogol në shtesë, ndërsa sot u mund duke luajtur një ndeshje të madhe.
Duhej të ishte dominim total i Portugalisë, por dukej një sfidë mes dy skuadrash të të njëjtit nivel, ku diferencën e bëri Ronaldo që në fillim, me golin e katërt në Botëror.
Shënon vetëm ai, Portugalia nuk ka ndonjë gjë të veçantë, përveç portierit, që sot ishte fantastik.
Portugalia? Më mirë le të themi “Cristiano Ronaldo kundër të gjithëve”.
Ronaldo bëhet gjithashtu golashënuesi i dytë më i mirë në rang kombëtaresh me 85 gola, 1 më shumë se hungarezi legjendar Ferenc Puskas, ndërsa kryeson listën Ali Daei i Iranit me 109 gola.
Maroku me këtë disfatë të dytë i ka thënë matematikisht lamtumirë Botërorit, sepse nuk ekziston asnjë kombinim rezultatesh në sfidat e mbetura që mund ta mbajë në lojë për të vijuar më tej.
https://www.dailymotion.com/video/x6mbopq