Maqedonia si nga aspekti historik, njëjtë edhe atë kulturor, politik dhe gjeografik, bën pjesë në bashkësinë e kombeve evropiane, prandaj Sllovenia me padurim pret anëtarësimin e saj në stukturat euroatlantike për të bashkëpunuar nga afër, deklaroi sot në Shkup, kryeparlamentari i Sllovenisë, Dejan Zhidan, pas takimin me homologun e tij Talat Xhaferi, raporton Anadolu Agency (AA).
Në konferencën e përbashkët për media pas takimit me Xhaferin, Zhidan u shpreh i lumtur që ndodhet në Shkup vetëm pak ditë nga data historike për Maqedoninë, referendumi i 30 shtatorit i cili hap perspektiva të reja për vendin, sepse siç tha, Bashkimi Evropian dhe NATO janë garantuesit themelor të sigurisë, stabilitetit dhe njohjes reciproke të vlerave kulturore të popujve.
Anëtarësimi në këto organizata, tha Zhidan, hap një sërë mundësish, rritje më të shpejtë të ekonomisë që mundëson kushte më të mira të jetesës dhe zhvillim më të mirë në të gjitha sferat e jetesës.
“Ne në Slloveni, tek Maqedonia shohim një bashkëmendimtar tek çështjet rajonale dhe globale që kanë të bëjnë me BE-në dhe NATO-n, prandaj i gëzohemi ditës kur do të mund të bashkëpunojmë në kuadër të BE-së, ku bashkarisht do të formësojmë të ardhmen tonë”, deklaroi Zhidan, për të shtuar se Marrëveshja e Prespës hap dyert e NATO-s dhe BE-së, ndërsa popullit maqedonas ia ruan identitetin dhe gjuhën.
Ai porositi opinionin në vend se kompromiset janë ndonjëherë të dhimbshme, por nëse ato ofrojnë më të rëndësishmen, siç është rasti me Maqedoninë, duhet përqafuar, për çka bëri thirrje që të shfrytëzohet referendumi i së dielës, meqë përcakton fatin dhe të ardhmen e gjeneratave që vijnë.
Kryeparlamentari Xhaferi nga ana e tij theksoi se ardhja e kryeparlamentarit slloven në Shkup, në vigjilje të referendumit, flet mjaft për përkrahjen e shtetit të tij.
Xhaferi shtoi më tej se procesi i Bërdos, nismëtar i të cilit ishte Sllovenia, pas anëtarësimit të Kroacisë në BE u shndërrua në procesin Bërdo-Brioni, që ka për qëllim intensifikimin e bashkëpunimit rajonal të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Njoftova kolegun që integrimi euroatlantik i Maqedonisë mbetet një prioritet i lartë i Kuvendit dhe qeverisë, dhe me realizimin e planit 3-6-9, dhe me përpjekjet për të realizuar të ashtuquajturin Plani 18 i qeverisë, Kuvendi mbetet koshient për të dhënë vulën në gjithë atë proces”, tha Xhaferi.
Kujtojmë se vizita e kryeparlamentarit slloven Zhidan në Shkup, është e para e tij jashtë vendit, që nga marrja e detyrës më 23 gusht.