I dërguari i Putinit në Ballkan/ Këshilltari për sigurinë i presidentit rus do të shkojë në Beograd

Presidenti rus, Vladimir Putin, po dërgon këshilltarin e tij të lartë të sigurisë në Ballkan, shkak janë bërë pretendimet e Rusisë se mercenarë nga Shqipëria, Kosova dhe Bosnja po shkojnë të luftojnë përkrah forcave ukrainase kundër kryengritësve pro-rusë.

Mediet në Serbi thanë se Nikolai Patrushev, sekretari i fuqishëm i Këshillit të Sigurimit të Kremlinit, do të mbërrijë në Beograd në ditët në vijim, për bisedime me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Zyrtarët nga Shqipëria, Kosova dhe Bosnja, i kanë hedhur poshtë këto pretendime të ngritura javën e kaluar nga ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

Presidenti serb Vuçiç, mbajti të hënën një takim të zyrtarëve të lartë të sigurisë së Serbisë, të cilët thuhet se diskutuan gjithashtu, raportet mbi “mercenarët” nga Ballkani që shkojnë në Ukrainë.

Dhjetëra luftëtarë serbë kanë luftuar në të kaluarën në Ukrainën lindore, por në anën e kryengritësve pro-rusë.

Serbia ka deklaruar zyrtarisht qasjen neutrale në përplasjen Rusi-Ukrainë, që kërcënon një luftë të madhe në Evropë. Megjithatë, media e kontrolluar nga shteti i Serbisë po mbështet drejtpërdrejt Moskën, duke transmetuar propagandën ruse pa asnjë diskutim.