I burgosuri palestinez ndërron jetë në burgun izraelit pas grevës së urisë prej 87 ditësh

I burgosuri palestinez Khader Adnan ndërroi jetë në burgun izraelit në të cilën ai vazhdoi grevën e urisë prej 87 ditësh, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë me shkrim nga Lëvizja palestineze Xhihadi Islamik, u theksua se “Lëvizja Xhihadi Islamik, me këmbëngulje dhe vendosmëri të plotë mban zi për shkak të vdekjes së liderit, shejh Khader Adnan”.

“Heroi i lirë Khader Adnan ka rënë dëshmor me krimin e kryer nga armiku, para gjithë botës që mbron dhe ruan terrorizmin, padrejtësinë”, thuhet në deklaratën ku theksohet se administrata pushtuese izraelite do ta paguajë çmimin e kësaj.

Adnan prej 87 ditësh vazhdonte grevën e tij të urisë, ndërsa gjendja e tij shëndetësore ishte përkeqësuar. Në deklaratë nuk janë ndarë informacione të tjera lidhur me vdekjen e palestinezit Adnan.

Në një deklaratë të bërë më 23 prill nga Shoqata e të Burgosurve Palestinezë, ishte bërë e ditur se gjykata ushtarake izraelite refuzoi kërkesën për “lirim me kusht” të Adnan i cili prej 78 ditësh ndodhej në grevë urie dhe gjendja shëndetësore e të cili po përkeqësohej.

Po ashtu në deklaratë bëhet e ditur se Adnan humbi vetëdijen disa herë gjatë seancës, ku ai mori pjesë përmes video konferencës. “I burgosuri palestinez është në gjendje kritike, por administrata okupuese e mban ende në klinikën e burgut duke mos lejuar që të transferohet në një burg civil dhe të vizitohet nga familja e tij”, u theksua më tej në deklaratë.

Khader Adnan me qëllim reagimi ndaj paraburgimit administrativ të tij, hyri në grevë urie për 66 ditë në vitin 2012, ndërsa 52 ditë në vitin 2015, 59 ditë në vitin 2018 dhe 25 ditë në vitin 2021. Adnan e filloi grevën e tij të urisë më 5 shkurt.

Rikujtohet se 44 vjeçari Adnan i akuzuar nga Izraeli për anëtarësim në Lëvizjen e Xhihadit Islamik dhe pjesëmarrje në aktivitete kundër Izraelit, që prej vitit 2012 e deri më sot u arrestua shumë herë dhe u burgos me praktikën e “arrestimit administrativ”.