Hysaj drejt Atletico Madrid, Napoli ul pretendimet për çmimin

Zërat që çojnë Elseid Hysajn drejt Atletico Madrid bëhen gjithmonë e më të shpeshtë. E përditshmja sportive “AS” shkruan se drejtuesit e Atletico janë të vendosur në kërkesën e tyre për mbrojtësin shqiptar, por duan të ulin çmimin e kartonit deri në 15 milionë Euro.

Te Napoli kërkojne 25 milionë, por edhe mund të ulen më poshtë. Sipas “AS”, do të ketë takime me përfaqësuesin e Hysajt në ditët në vijim me shpresën e arritjes së marrëveshjes. Mbrojtësi i është bashkuar Napolit në stërvitje të premten në fazën përgatitore që po zhvillohet në Dimaro, një lokalitet në veri të Italisë.

Aktivizimi i pakët gjatë sezonit të fundit bëri që Hysaj të shikonte për një tjetër aventurë. Elseid Hysaj u transferua te Napoli në verën e vitit 2015, pasi u ble nga Empoli për 5 milionë Euro. Kontrata e tij me skuadrën napolitane është e vlefshme edhe për dy sezone.