Hyn në fuqi Marrëveshja e Prespës dhe ndryshimi i emrit të Maqedonisë

“Para pak kohe shkëmbyem notat përfundimtare verbale: Marrëveshja e Prespës hyn në fuqi”, shkroi në rrjetin social Twitter, ministri Jashtëm, Nikolla Dimitrov

Qeveria e Maqedonisë informoi se prej sot, 12 shkurt të vitit 2019, hyn në fuqi Marrëveshja e Prespës, me të cilën zgjidhet kontesti për emrin mes Maqedonisë dhe Greqisë, me çka Republika e Maqedonisë ndryshon emrin e saj në Republika e Maqedonisë së Veriut, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Lajmërojmë se prej sot, 12 shkurt të vitit 2019, hyn në fuqi Marrëveshja Përfundimtare për Zgjidhjen e Dallimeve të Përshkruara në Rezolutat 817 (1993) dhe 845 (1993) të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për ndërprerjen e vlershmërisë së Marrëveshjes së Përkohshme të vitit 1995 dhe për vendosjen e partneritetit strategjik mes palëve, që Ministria e Punëve të Jashtme në mënyrë adekuate e publikoi në Gazetën Zyrtare”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

“Po ashtu, lajmërojmë se janë përmbushur kushtet për hyrjen në fuqi të amandamenteve ХХХIII, XXXIV, XXXV dhe XXXVI të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ligjit kushtetues për zbatimin e amandamenteve prej ХХХIII deri në ХХХVI të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, që Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut i miratoi më 11 janar të vitit 2019. Të njëjtat hyjnë në fuqi, më 12 shkurt të vitit 2019 me publikimin përkatës nga ana e Qeverisë në Gazetën Zyrtare”, qëndron në njoftimin.

“Vendimet fillestare lidhur me masat dhe aktivitetet e nevojshme për kryerjen e detyrimeve të lartpërmendura do të prezantohen në njofitmin për opinion të cilin do ta publikojë Grupi ndërdikasterial punues për kryerjen e detyrimeve nga Marrëveshja përfundimtare”, thuhet në njoftimin.

Kjo vjen pasi sonte Greqia dërgoi notën verbale se Parlamenti i atjeshëm ka ratifikuar Marrëveshjen e Prespës dhe Protokollin për anëtarësimin e vendit në NATO.

“Para pak kohe shkëmbyem notat përfundimtare verbale: Marrëveshja e Prespës hyn në fuqi”, shkroi në rrjetin social Twitter, ministri Jashtëm, Nikolla Dimitrov.

“Dita e sotme le të jetë një fillim i miqësisë afatgjate mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut. Nuk mund ta ndryshojmë të kaluarën tonë, por mund të formësojmë ardhmërinë tonë të miqësisë, partneritetit dhe bashkëpunimit”, shkroi Dimitrov.

Marrëveshja e Prespës

Rikujtojmë se Marrëveshjen e Prespës në qershor të vitit të kaluar në pjesën greke të Prespës e nënshkruan qeveritë e Maqedonisë dhe Greqisë, sipas të cilës Republika e Maqedonisë e ndryshon emrin e saj në Republika e Maqedonisë së Veriut. Ndryshimi i emrit zgjidh problemin me Greqinë, që daton që nga shpallja e pavarësisë së Maqedonisë nga ish-Jugosllavia në vitin 1991.

Më 11 janar të këtij viti, Kuvendi i Maqedonisë me shumicë prej dy të tretave miratoi ndryshimet kushtetuese të cilat dalin nga Marrëveshja e Prespës, më pas më 25 janar me shumicë të thjeshtë marrëveshja u ratifikua edhe në Parlamentin grek.

Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) e Maqedonisë më 9 shkurt njofoti se pas përmbushjes së të gjitha kushteve juridike për hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Prespës, Qeveria e Republikës së Maqedonisë, do ta shpallë në Gazetën Zyrtare datën e hyrjes në fuqi të amandamenteve kushtetuese dhe ligjin kushtetues.

“Më pas, Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Greqia do të dorëzojnë një letër të përbashkët deri te sekretari i përgjithshëm i OKB-së, me të cilën e informojnë Antonio Guteresh për datën e hyrjes në fuqi të marrëveshjes përfundimtare, me çka i jepet fund kontestit disa dekadësh bilateral mes dy vendeve”.

Pas kësaj, njoftoi MPJ “Republika e Maqedonisë së Veriut në mënyrë adekuate i informon :Sekretariatin e OKB-së, vendet anëtare, vendet vëzhguese të OKB-së, si dhe organizatat tjera ndërkombëtare ku është anëtare, për ndryshimet e bëra”.