Hunt: Të shqetësuar që dëgjuam se vrasja e Khashoggit ishte e planifikuar

“Të shqetësuar thellë pasi dëgjuam nga Erdoğan se vrasja e Khashoggit paska qenë e planifikuar. Bota ende pret përgjigje”, ka kryediplomati britanik Hunt në rrjetin social Twitter

Sekretari i Jashtëm i Britanisë, Jeremy Hunt, tha se ndihet thellësisht i shqetësuar pasi dëgjoi nga presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan se vrasja e gazetarit saudit ka qenë e planifikuar, raporton Anadolu Agency (AA).

Komentet e shefit të diplomacisë britanike erdhën pak pasi presidenti turk Erdoğan deklaroi sot në Ankara se Jamal Khashoggi, gazetari saudit vrarë në Konsullatën Saudite më 2 tetor, ka qenë viktimë e një vrasjeje mizore dhe të planifikuar më parë.

“Të shqetësuar thellë pasi dëgjuam nga Erdoğan se vrasja e Khashoggit paska qenë e planifikuar. Bota ende pret përgjigje”, ka shkruar Hunt në rrjetin social Twitter.

Nga ana tjetër, Kryeministria e Turqisë ka deklaruar se fjalimi i presidentit Erdoğan ka nënvizuar se sauditët janë të vetmit që mund t’u përgjigjen pyetjeve në lidhje me vrasjen e Khashoggit.

Në një fjalim dje në parlamentin britanik, Hunt tha se “Khashoggi është vrarë nga agjentët e një shteti me të cilët kemi raporte të afërta”.

“Nuk është i besueshëm pretendimi se është vrarë gjatë një sherri”, shtoi Hunt.

Ai theksoi se hapat që do të ndërmarrë Britania varen nga besueshmëria e deklaratës përfundimtare të zyrtarëve sauditë dhe nga besimi i tyre se një gjë e tillë nuk do të ndodhë më.

“Kush dha urdhrin për dërgimin e 15 zyrtarëve saudite në Stamboll nga Arabia Saudite? Kur mësoi fillimisht qeveria e Riadit se Khashoggi ka vdekur? Pse u vonua hyrja e hetuesve në konsullatë? Çfarë ndodhi me kufomën e Khashoggit? Pse Arabia Saudite priti 17 ditë për të deklaruar vdekjen e tij?”, ishte shprehur Hunt.