Hungaria refuzon ekstradimin e ‘Babales’

ReportTv mëson ekskluzivisht nga burime pranë Inteproil Tirana se prej 10 ditësh autoritet Hungareze kanë vendosur të mos pranojnë kërkesën për ekstradimin e Albert Veliut, njohur si “babalja”. Në një kohë kur në Tiranë ai është marrë i pandehur në mungesë, së bashku me ish-deputetin Ervin Salianji dhe Fredi Alizoti, Hungaria e ka liruar duke refuzuar kërkesën e Tiranës për ekstradim.

Hungaria refuzon të ekstradojë në Shqipëri Albert Veliun të njohur si “Babalja”, i cili është marrë i pandehur për kallëzim të rremë, së bashku me ish-deputetin demokrat, Ervin Salianji.

Burime nga Interpol sqaruan ekskluzivisht për ReportTv se prej disa ditësh ka mbërritur përgjigja e palës hungareze e cila ka refuzuar kërkesën e Ministrisë së Drejtësisë për ekstradimin e Veliut.

Albert Veliu u arrestua dy muaj më parë në Hungari pasi u arratis nga kampi i azilkërkuesve në Kosovë ku qëndroi për disa muaj në pritje të statusit të azilantit politik.

Prej më shumë se 2 javë Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe e ka marrë atë të pandehur së bashku me Salianjin dhe Fredi Alizotin me akuzën e kallëzimit të rremë.

Sipas Prokurorisë së Tiranës Babale, Salianji dhe Alizoti u përfshinë në kallëzimin e rremë me audio-përgjimin e montuar duke pretenduar se Albert Veliu fliste për trafik droge me Agron (Geron) Xhafën, vëllain e ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, raporton Shqiptarja.

Fillimisht këto hetime u nisën nga krimet e rënda e pas mbërritje së ekspertizës britanike ku rezultoi se përgjimi ishte i modifikuar hetimet u kaluan për kompetencë Prokurorisë së Tiranës.

Javën e ardhshme Gjykata Penale Tiranë pritet të caktojë seancën paraprake dhe të vendosë nëse do t’i jap OK kërkesës së prokurorisë për marrjen e pandehur dhe nisjen e gjykimit ndaj tre personave mes tyre Babales dhe ish-deputetit demokrat Salianji. Ky i fundit pas marrjes së fashikullit hetimor nga prokuroria dhe komunikimit të akuzës ka publikuar në media edhe pjesë të përgjimeve ku sipas tij Fredi Alizoti është një dëshmitar i manipuluar nga policia.