Hoti: Kemi bërë të gjitha përgatitjet për të sjellë vaksinën sipas standardeve të BE-së

Hoti tha se gjendja epidemiologjike në vend është stabile dhe se situata ekonomike “është më e mirë se ajo e vitit të kaluar”

Komiteti për Menaxhimin e Situatës me koronavirusin e ri (COVID-19) në qeverinë e Kosovës është mbledhur për të diskutuar gjendjen epidemiologjike të vendit dhe punën e secilit sektor të përfshirë në parandalimin e virusit, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se gjendja epidemiologjike në vend është stabile dhe se situata ekonomike “është më e mirë se ajo e vitit të kaluar”.

Hoti tha se për disa javë Kosova do të pranojë vaksinat, ndërsa më pas do të fillohet me vaksinim masiv bazuar në strategjinë e imunizimit. Sipas Hotit, gjysma e përgatitjes për imunizimin e qytetarëve është bërë.

“Ne kemi bërë të gjitha përgatitjet për të sjellë vaksinën sipas standardeve të BE-së. Nuk kemi hyrë në lojëra për të sjellë vaksina nga vendet e Lindjes, të cilat nuk janë të certifikuara nga vendet e BE-së. Ata që lëshojnë dezinformata dhe kritikojnë pa nevojë nuk e thonë të vërtetën se nga kanë ardhur qindra vaksina në vendet e rajonit me origjinë të dyshimtë. Ne presim që për disa javë të arrijë vaksina dhe të fillojmë vaksinimin sipas të gjitha protokolleve të Kosovës dhe organizatave të BE-së”, theksoi Hoti.

Ndërkaq, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, tha se lufta kundër koronavirusit po vazhdon me tërë kapacitetin vendor dhe përkrahësit ndërkombëtarë. Ai tha se ministria ka bërë të gjitha përgatitjet e mundshme për vaksinimin e qytetarëve.

“Qeveria e Republikës së Kosovës për vitin 2021 ka paraparë 40 milionë euro për vaksina dhe nevoja të tjera lidhur me COVID-19 duke shtuar edhe 10 milionë të tjera nga pjesa e Rimëkëmbjes Ekonomike, të cilat e kemi potencuar se do të jepen falas për qytetarët tanë”, theksoi Zemaj, duke shtuar se autoritetet vendore po vazhdojnë kontaktet dhe bashkëpunimin me organizatat shëndetësore ndërkombëtare.

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK), Naser Ramadani, tha se sot është dita e 366-të e diagnostikimit të parë të rasteve me COVID-19 në Kosovë dhe dita e 437-të e punës së pandërprerë të dhomës operative të IKSHPK-së.

“Mortaliteti i deritanishëm prej fillimit të paraqitjes së rasteve të para me COVID-19 në Kosovë është 2,23 për qind. Në totalin e të prekurve me COVID-19, grupmosha më e prekur është 30-39 vjeç me 19,5 për qind”, theksoi Ramadani.

Ramadani tha se IKSHPK gjatë këtij viti i ka kushtuar rëndësi të veçantë parandalimit të përhapjes së virusit në shkolla, duke bërë testime rregullisht në institucionet arsimore.

Anëtarë të këtij komiteti nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHKUK) njoftuan se gjendja aktuale në SHSKUK është e menaxhueshme, ku në nivel vendi të shtrirë janë 632 të sëmurë, ndërsa sa u përket shtretërve theksuan se 90 për qind e tyre janë nën shfrytëzim nga të sëmurët, përfshirë të gjitha qendrat rajonale mjekësore të vendit.

Në Kosovë që nga shkurti i vitit 2020 nga autoritetet shtetërore dhe private janë testuar gjithsej 345.064 mostra për COVID-19, ku nga ta 75.380 raste kanë rezultuar pozitive, përfshirë 1.682 vdekje dhe 63.380 të shëruar.