Hoti: Agresori ishte Serbia dhe forcat e saj të armatosura militare dhe paramilitare

“Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson se në situatën e re të krijuar, kur presidenti i vendit ka dhënë dorëheqje, duhet të ruhet stabiliteti i institucioneve", tha Hoti

Qeveria e Kosovës e drejtuar nga kryeministri Avdullah Hoti ka mbajtur mbledhjen e 40-të me radhë, ku pikë e vetme e rendit të ditës kanë qenë zhvillimet e fundit politike në vend, pas dorëheqjes së presidentit, Hashim Thaçi dhe konfirmimit të aktakuzës ndaj tij dhe ish-pjesëtarëve tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nga Dhomat e Specializuara në Hagë, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryeministri Hoti tha se si rezultat i konfirmimit të aktakuzave ndaj një pjese të ish-udhëheqësve të UÇK-së në mesin e të cilëve edhe presidenti Hashim Thaçi, ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ish-kryetari tjetër i Kuvendit të Kosovës dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, deputeti Rexhep Selimi dhe të tjerë, gjithë këta dhe gjithë këto zhvillime “e kanë vënë edhe njëherë shtetin e Kosovës në sprovë”.

Hoti përshëndeti veprimin dhe sjelljen e ish-pjesëtarëve të UÇK-së për gatishmëri për të bashkëpunuar me Dhomat e Specializuara, megjithëse tha se “Populli i Kosovës luftoi për liri dhe demokraci në oborrin e vet dhe jo në tokë të huaj”.

“Agresori ishte Serbia dhe forcat e saj të armatosura militare dhe paramilitare, të cilat u ndëshkuan nga bota e civilizuar, pikërisht për shkak të agresionit ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj dhe për këtë, askush, asnjëherë nuk ka asnjë dilemë”, ka thënë Hoti.

Ai theksoi se në një situatë të tillë, populli duhet të tregojë urtësi e vizion me qëllim që “ta përballojmë edhe këtë sprovë”.

“Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson se në situatën e re të krijuar, kur presidenti i vendit ka dhënë dorëheqje, duhet të ruhet stabiliteti i institucioneve sa i përket ushtrimit të kapaciteteve dhe kompetencave kushtetuese”, shtoi kryeministri Hoti.

Zëvendëskryeministri, Besnik Tahiri ka thënë se si Qeveri do t’i marrin të gjitha masat që t’i dalin në ndihmë të akuzuarve të Speciales, duke respektuar kornizat ligjore.

Ndërkaq, aktakuzat e ngritura ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit i ka quajtur të rënda për shtetin e Kosovës, ministri i Drejtësisë Selim Selimi në mbledhjen e Qeverisë.

Madje, për këtë ai ka kërkuar që të pezullohet dialogu Kosovë-Serbi me ndërmjetësimin e Brukselit përkohësisht.

Ai e ka quajtur një goditje të rëndë për shtetin e Kosovës aktakuzat e ngritura ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit.

“Këto aktakuza më shumë se efekt juridik po prodhojnë efekt politik për të cilën s’bën të qëndrojmë duarkryq. Konsideroj se Qeveria e Kosovës duhet të pezullojë menjëherë dialogun deri në një moment tjetër. Dhomat e Specializuara duke pranuar dosjet e fabrikuara nga shërbimi sekret i Millosheviqit. Derisa nuk e bën të qartë se UÇK-ja nuk është një grup i organizuar kriminal atëherë brishtësia e sigurisë nacionale është e shprehur”, ka thënë Selimi.

Aktakuza ndaj të katër ish-pjesëtarëve të UÇK-së ishte konfirmuar nga Gjykata Speciale më 26 tetor të këtij viti por ishin bërë publike më 4 dhe 5 nëntor. Aktualisht Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi ndodhen në paraburgim në Dhomat e Specializuara të Kosovës ndërsa deri më tani dihet se Jakup Krasniqi do të dalë të hënën në seancë gjyqësore.

Një ditë pas transferimit të presidentit të dorëhequr, Hashim Thaçi, EULEX po kryen bastisje në shtëpinë e tij si dhe në shtpëinë e kreut të PDK-së Kadri Veseli.