Heiko Maas: Të fillojnë negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë

"Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria vërtet kanë arritur progrese. Ne duhet t'u ofrojmë perspektivë evropiane të besueshme këtyre vendeve dhe t'i fillojmë negociatat e anëtarësimit", tha kryediplomati gjerman Heiko Maas

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas, tha se është e nevojshme të fillojnë negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE) me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, raporton Anadolu Agency (AA).

“Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria vërtet kanë arritur progrese. Ne duhet t’u ofrojmë perspektivë evropiane të besueshme këtyre vendeve dhe t’i fillojmë negociatat e anëtarësimit”, tha Maas pas takimit me homologun kroat Gordan Grliç Radman në Berlin.

Maas tha se kjo çështje jo vetëm që diskutohet brenda qeverisë gjermane, por edhe zhvillohen takime në Kuvendin Federal në lidhje me të.

Maas u rikujtoi se më 1 janar të vitit 2020 Kroacia merr përsipër presidencën e radhës së BE-së, kurse Gjermania në gjysmën e dytë të vitit të njëjtë, duke shtuar se është e rëndësishme që për këtë arsye, të dy vendet të koordinohen në lidhje me çështjet e BE-së.