Heiko Maas: Proceset e pranimit të vendeve të rajonit edhe në interes të Evropës

“Unë do ta tërheqë Maqedoninë nga xhepat e pasigurisë që ende ekzistojnë në Ballkan. Unë nuk do të ndaloj duke i bindur diplomatët rusë se kjo është puna reale dhe vendim i ynë”, deklaroi Dimitrov

Ministri i Punëve të Jashtme i Gjermanisë, Heiko Maas, i cili qëndron për vizitë në Maqedoni, pas takimit me homologun e tij maqedonas, Nikolla Dimitrov, ka deklaruar se qeveria maqedonase me arritjen e marrëveshjes për emrin me qeverinë greke ka bërë një hap historik drejt të ardhmes së Maqedonisë, raporton Anadolu Agency (AA).

“Ju me qeverinë greke keni bërë një hap historik. Mosmarrëveshja 25-vjeçare midis maqedonasve dhe grekëve ishte pengesë midis dy vendeve, ndërsa tani është afër për të shfrytëzuar mundësinë historike që kjo mosmarrëveshje të zgjidhet. Shpresoj që sa më shumë maqedonas të shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike dhe të votojnë. Vendimi tani është në duart e qytetarëve të këtij vendi. Kjo është mundësi ligjore dhe shpresoj se do ta shfrytëzoni atë”, deklaroi minstri Maas.

Ministri Maas kujtoi se për “ata është e qartë se zgjidhja e mosmarrëveshjes do të paraqet hap të rëndësishëm për Shkupin drejt Evropës”. Ai po ashtu theksoi se “ata janë për perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor” dhe se ajo gjithmonë ashtu do të mbetet.

“Proceset e pranimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në NATO dhe në Bashkimin Evropian, nga këndvështrimi ynë janë të rëndësishëm për stabilitetin e rajonit. Prandaj, kjo nuk është vetëm në interesin tuaj, por është edhe në interesin tonë, që do të thotë në interesin evropian”, porositi ministri Maas.

Në pyetjen “nëse referendumi kalon pozitiv cili është mesazhi i tij për palën greke, pasi më pas zbatimi i marrëveshjes do të mbetet në palën greke”, ministri gjerman u përgjigj se e njëjta porosi që i drejtohet palës maqedonase vlen edhe për palën greke.

“Edhe grekëve nuk do t’u them asgjë ndryshe nga ajo që thash këtu. Mendoj se kjo është një mundësi historike, pasi që kjo mosmarrëveshje që zgjat më shumë se dy dekada ka mundësi për t’u zgjidhur, edhe atë me mundësi që të pranohet nga popujt e të dy vendeve. Kjo nuk është vetëm në interes të maqedonasve, por është edhe në interes të grekëve”, tha Maas.

Në lidhje me pretendimet e fundit se Moska zyrtare përpiqet të ndërhyjë që referendumi i 30 shtatorit të dështojë, Maas tha se, “Përderisa ne u ofrojmë perspektivë vendeve të Ballkanit Perëndimor, jam i sigurtë se të tjerë do të përpiqen që ndikimin e tyre ta rrisin në të njëjtin rajon dhe mua më duket se ata janë lojtarë të fortë që nuk kanë vlera të njëjta si ne në BE. Prandaj është me rëndësi që Maqedonia të marrë perspektivë të sigurtë evropiane, por kjo është interes që vlen për të gjithë Ballkanin Perëndimor”.

Dimitrov: Do ta tërheq Maqedoninë nga xhepat e pasigurisë që ende ekzistojnë në Ballkan

Duke folur rreth pyetjes mbi ndërhyrjen e Rusisë, ministri Dimitrov, nga ana e tij, theksoi se anëtarësimi në NATO është qëllim strategjik i Maqedonisë që nga viti 1993 dhe se sot mbi 70 për qind e qytetarëve të vendit mbështetin këto qëllime strategjike.

“Kjo për ne është një mesazh se Maqedonia është për të qëndruar në këto kufij dhe unë do ta tërheqë Maqedoninë nga xhepat e pasigurisë që ende ekzistojnë në Ballkan. Unë nuk do të ndaloj duke bindur diplomatët rusë se kjo është puna reale dhe vendim i ynë. Këtu kemi pikëpamje të ndryshme dhe po ashtu mendoj se në një periudhë afatshkurte marrëdhëniet midis Federatës Ruse dhe Perëndimit, në pyetje është koha dhe lidershipi, kur do të ketë bashkëpunim të ngushtë. Ne kemi mjaft probleme këtu në Ballkan dhe nuk na nevojiten imponime gjeo-politike. Koha është t’i zgjidhim ato probleme dhe kërkojmë respekt nga të gjithë, edhe nga lojtarët më të mëdhenj të na mbështesim ta bëjmë atë”, deklaroi Dimitrov.

Ministri maqedonas theksoi se Gjermania është parnteri më i rëndësishëm dhe më i afërt i Maqedonisë në aspektin politik dhe ekonomik. Ai theksoi se 47 për qind e eksporteve maqedonase eksportohen në Gjermani, ndërsa vitin e kaluar shkëmbimi tregtar midis dy vendeve arriti në 3.6 miliardë euro.

“Do të bëjmë gjithçka që të mos e mundësojmë që ndonjë vend anëtar të mos jetë pjesë e konsensusit në qershor të vitit 2019, sepse pas këtij hapi strategjik neve na nevojitet hap serioz i reformave brenda vendit, pasi që qëllimi nuk është vetëm të hyjmë në BE, por Maqedoninë ta bëjmë evropiane”, deklaroi ministri Dimitrov.

Më herët, pas takimit midis shefave të diplomacisë të të dy vendeve, ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë, Oliver Spasovski dhe ambasadori gjerman në Shkup, Thomas Gerberich, nënshkruan Deklaratën për njohjen dhe ndërrimin e lejes së vozitjes, me anë të së cilës do të mundësohet njohja reciproke e lejeve të vozitjes së të dy vendeve. Në ceremoninë zyrtare të nënshkrimit të pranishëm ishin edhe ministri maqedonas i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov dhe homologu i tij gjerman, Heiko Maas, i cili qëndron për vizitë zyrtare në Maqedoni.

Më 30 shtator, qytetarët e Maqedonisë do të prononcohen në referendumin që është pjesë e marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë, e cila parasheh ndryshimin e emrit të shtetit në Republika e Maqedonisë së Veriut dhe që paraqet kushtin kryesor për anëtarësimin e vendit në NATO dhe çeljen e negociatave me BE-në.