Hasan Ruhani: Jemi në luftë ekonomike me SHBA-të

"Objektivi i armikut është ekonomia e Iranit. SHBA-ja synon të godasë ekonominë e Iranit", tha presidenti iranian, Hasan Ruhani

Presidenti i Iranit, Hasan Ruhani, deklaroi se ndodhen në një situatë lufte ekonomike me SHBA-të, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në Asamblenë e Përgjithshme të Gjyqësorit të mbajtur në kryeqytetin e vendit, Teheran, Ruhani tha se administrata amerikane ka vendosur në objektiv ekonominë iraniane.

Pasi ka vënë theksin se ndodhen në situatë lufte ekonomike me SHBA-të, Ruhani tha se “Objektivi i armikut është ekonomia e Iranit. SHBA-ja synon të godasë ekonominë e Iranit”.

Ndër të tjera Ruhani ka përmendur se jashtë vendit jetojnë 6 milionë iranianë dhe ndaj këtyre qytetarëve ai ka bërë thirrje që “të vijnë në Iran dhe të investojnë”.

Lidhur me kursin e këmbimit valutor që po rritet vazhdimisht, Ruhani potencoi se “Ne kemi sasinë e nevojshme të valutës. Populli nuk duhet të shqetësohet për këtë”.

Presidenti iranian pretendon se nuk ka asnjë problem në furnizimin me valutë të huaj në vend. Ruhani nënvizoi se një grup prej 50-60 personash po përpiqen të shkaktojnë problem në tregun e këmbimeve valutore.