Hasan Rouhani: Sauditët e vranë Khashoggin me mbështetjen e SHBA-së

Presidenti i Iranit, Hassan Rouhani, pretendoi të mërkurën se Arabia Saudite nuk do të kishte guxuar ta vriste gazetarin Jamal Khashoggi pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës...

Presidenti i Iranit, Hassan Rouhani, pretendoi të mërkurën se Arabia Saudite nuk do të kishte guxuar ta vriste gazetarin Jamal Khashoggi pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Duke folur gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Hassan Rouhani e përshkroi vrasjen e Khashoggit si “të organizuar” dhe si “një krim të kryer me egërsi të paprecedentë”, bën të ditur agjencia zyrtare iraniane e lajmeve “IRNA”.

“Unë mendoj që asnjë vend s’do të kishte guxuar të kryente një krim të tillë pa mbështetjen e SHBA-së. Me sa duket, një dinasti që sundon një vend, gëzon mbrojtjen e superfuqisë”, deklaroi ai.

Pasi i bëri thirrje qeverisë turke që të vazhdojë të kryejë një hetim të paanshëm dhe gjithëpërfshirës për vrasjen e gazetarit saudit, udhëheqësi iranian vijoi me këto fjalë: “Askush nuk mund ta imagjinonte se do të dëshmonim një krim të tillë të organizuar dhe se një sistem do të planifikonte një krim kaq mizor, me një egërsi të paprecedentë, në botën e sotme dhe në qindvjeçarin e ri.”

Rouhani vuri në pah se vrasja e Khashoggit është një test, një sprovë e të drejtave të njeriut për SHBA-në, Evropën dhe vendet e tjera.

“Më shumë sesa krimi vetë dhe autorët e tij duhet të dënohet fuqia që i inkurajon ata për të kryer këtë krim”, shtoi presidenti iranian.

Më se dy javë pas zhdukjes së Jamal Khashoggit pasi kishte hyrë më 2 tetor në Konsullatën e Përgjithshme të Arabisë Saudite në Stamboll, Riadi zyrtar njoftoi të shtunën e 20 tetorit se gazetari “kishte vdekur për shkak të një përleshjeje në objektin e Konsullatës”./TRT