Haradinaj-Stublla mirëpret letrën e presidentit Biden për arritjen e njohjes reciproke me Serbinë

"Vetëm me përfshirjen e SHBA-së, me qëndrimin e tyre të palëkundur se duhet të ketë njohje reciproke, mund të arrihet marrëveshja finale e cila do të kontribuonte në paqen dhe stabilitetin e rajonit dhe më gjerë", ka thënë ministrja Haradinaj-Stublla...

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla ka mirëpritur letrën që presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, i ka dërguar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, përmes së cilës ka kërkuar njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Shefja e diplomacisë kosovare e vlerëson këtë si një arritje në pozicionin e palëkundur të Kosovës për përmbylljen e dialogut final me Serbinë me njohje të pakushte të pavarësisë së Kosovës, duke respektuar parimet e pandryshueshme për karakterin unitar, integritetin territorial dhe rendin kushtetues.

“Si Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës kam kërkuar në vazhdimësi rol aktiv e përcaktues të SHBA-së në dialogun final me Serbinë. Vetëm me përfshirjen e SHBA-së, me qëndrimin e tyre të palëkundur se duhet të ketë njohje reciproke, mund të arrihet marrëveshja finale e cila do të kontribuonte në paqen dhe stabilitetin e rajonit dhe më gjerë“, ka thënë ministrja Haradinaj-Stublla, duke vënë në pah rëndësinë e prezencës amerikane dhe rolin e saj aktiv të dëshmuar në të gjitha proceset e rëndësishme për Kosovën.

“Pa rolin aktiv dhe përcaktues të SHBA-së si aktor kryesor dhe administratën e presidentit Biden do të jetë vështirë të paramendohet një marrëveshje e qëndrueshme që garanton njohjen reciproke mes dy shteteve”, ka thënë ministrja Haradinaj-Stublla.

Kujtojmë se presidenti amerikan, Biden i shkroi një letër urimi presidentit serb me rastin e Ditës së Shtetësisë së Serbisë – 15 shkurt. Në letrën e tij, Biden inkurajoi Vuçiçin në arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Kosovën, e cila është fokusuar në njohjen reciproke.

“SHBA-ja mbetet e përkushtuar për avancimin e bashkëpunimit ekonomik, stabilitetit rajonal dhe vlerat demokratike. Ne mbetemi të palëkundur në mbështetjen e qëllimit të Serbisë për integrimin evropian dhe ju inkurajojmë të vazhdoni të ndërmerrni hapa të vështirë për të arritur atë qëllim, përfshirë reformat e nevojshme dhe arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Kosovën, e cila është fokusuar në njohjen reciproke”, ka thënë Biden.