Haradinaj: Bota asnjëherë nuk duhet të heshtë karshi asnjë gjenocidi

Haradinaj theksoi gjithashtu se bota asnjëherë nuk duhet të heshtë karshi asnjë gjenocidi, viktimë e së cilës ishin populli kosovar dhe ai boshnjak

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, me rastin e 24-vjetorit të Masakrës së Srebrenicës priti në takim ministrin e Zhvillimit Rajonal, Rasim Demiri, deputeten e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje dhe ish-deputetin Xhezair Murati, të cilët vijnë nga radhët e komunitetit boshnjak në Kosovë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç njofton komunikata nga Kryeministria, Haradinaj me këtë rast, në emër të popullit të Kosovës shprehu nderim dhe respekt për viktimat, duke theksuar se populli i Kosovës gjithmonë do të ndajë dhimbjen me popullin boshnjak.

“Edhe në Kosovë ka pasur masakra shumë të rënda, të kryera nga regjimi i egër i Millosheviqit, për të cilat ende ndjejmë dhimbje të madhe”, ka thënë Haradinaj, duke shtuar se masakra në Srebrenicë dhe masakrat e tjera masive në Ballkan mbeten njolla të pa shlyera në ndërgjegjen e njerëzimit, derisa nuk vendoset drejtësia e munguar.

Haradinaj theksoi gjithashtu se bota asnjëherë nuk duhet të heshtë karshi asnjë gjenocidi, viktimë e së cilës ishin populli kosovar dhe ai boshnjak.

Nga ana e tyre, ministri Demiri, deputetja Balje dhe ish-deputeti Murati, falënderuan kryeministrin Haradinaj për pritjen dhe respektin që ai ka në vazhdimësi për komunitetin boshnjak dhe që bashkëndjen me dhimbjen për viktimat e Srebrenicës, masakër kjo më e madhja në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.Haradinaj: Bota asnjëherë nuk duhet të heshtë karshi asnjë gjenocidi