Hapet Panairi Ndërkombëtar i Tiranës, merr pjesë edhe Turqia

Në Panairin Ndërkombëtar të Tiranës, me mbështetjen e Dhomës së Tregtisë së Stambollit, marrin pjesë dhe kompani nga Turqia, të cilat operojnë në sektorë të ndryshëm, si ndërtim, industrinë ushqimore, punimet artizanale, etj.

 Është hapur sot edicioni i 25-të i Panairit Ndërkombëtar të Tiranës, ku marrin pjesë kompani kombëtare dhe ndërkombëtare të profileve të ndryshme, përfshirë edhe nga Turqia, raporton Anadolu Agency (AA).

Të pranishëm në ceremoninë e hapjes së panairit në Tiranë, ishin ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes e Shqipërisë, Sonila Qato, ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, ambasadorë të vendeve të tjera, përfaqësues të Bashkisë së Tiranës, përfaqësues nga Dhoma e Tregtisë së Stambollit(ITO), si dhe përfaqësues nga shoqatat e biznesit në Shqipëri dhe vendet e rajonit.

Ministrja Qato, në fjalën e saj gjatë ceremonisë së hapjes tha se ky panair është shndërruar në një traditë për Shqipërinë dhe sipas saj ka shoqëruar vendin në rrugëtimin drejt konsolidimit të një ekonomie të re të qëndrueshme dhe në rritje.

“Ky panair vjen si një katalizator i rëndësishëm i komunitetit të sipërmarrjes, duke i shërbyer sipërmarrjes vendase për të krijuar sa më shumë partneritete. Shumë ekspozues të huaj me synim investime konkrete në Shqipëri ndër vite e kanë parë me interes bashkëpunimin mes institucionet shtetërore për t’u informuar mbi politikat mbështetëse të biznesit dhe klimën e investimeve të huaja”, deklaroi Qato.

Sipas saj, ky panair është kthyer në një eveniment ekonomik të rëndësishëm jo vetëm për rajonin, por edhe më gjerë. “Sot shohim pavijone të shteteve të ndryshme. Është pavijoni i Turqisë, dikur një panair i mëvetshëm kushtuar ekskluzivisht eksporteve turke në Shqipëri, sot pjesë e Panairit Ndërkombëtar të Tiranës”, tha Qato.

“Ekonomia Turqisë ka vijuar në rrugën e saj të zhvillimit dhe përparimit”

Ndërsa anëtari i Bordit Ekzekutiv të Dhomës së Tregtisë së Stambollit(ITO), Yakup Köç, në fjalën e tij tha se ITO në sinkron me zhvillimet globale ekonomike zhvillon aktivitetin dhe vizionin e saj, duke përfshirë edhe organizimin e panaireve ndërkombëtare, ku zhvillohen dhjetëra aktivitete jashtë Turqisë.

“Ekonomia Turqisë me gjithë zhvillimet e ndodhura ka qenë solide dhe ka vijuar në rrugën e saj të zhvillimit dhe përparimit. Rritja ekonomike e Turqisë nga viti 2012 e në vijim ka qenë mbi nivelin 5.5 për qind. Për të pasur një pasqyrë më të mirë të ekonomisë turke, padiskutim nuk duhet të lëmë mënjanë edhe zhvillimet e dy viteve të fundit. Turqia para dy vitesh pati një grusht shteti të dështuar dhe në kufijtë tanë kemi pasur luftëra civile, por ekonomia e Turqisë ka vërtetuar se mund t’i përballojë këto sfida dhe mund të shkojë më tej”, theksoi Köç.

Sipas tij Turqia është një ndër vendet kyç në rajon. “Turqia ka një sërë investimesh në fusha të ndryshme në vendet e saj mike të rajonit. Kemi besim të plotë se ne mund t’i zhvillojmë edhe më tej marrëdhëniet me këto vende. Bilanci tregtar me Shqipërinë në fund të vitit 2017 ka qenë 430 milionë dollarë. Çdo hap që do të hedhin, çdo marrëveshje e nënshkruar mes vendeve tona në këtë drejtim do të jetë një kontribut i shtuar në këto marrëdhënie të shëndetshme”, u shpreh Köç.

Në Panairin Ndërkombëtar të Tiranës, me mbështetjen e Dhomës së Tregtisë së Stambollit, marrin pjesë dhe kompani nga Turqia, të cilat operojnë në sektorë të ndryshëm, si ndërtim, industrinë ushqimore, punimet artizanale, etj. Panairin e vizitoi edhe ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, së bashku me përfaqësues të tjerë të institucioneve turke në Shqipëri.

Ambasadori Yörük u ndal në stendat e kompanive turke, ku dhe zhvilloi një bashkëbisedim me përfaqësuesit e tyre.

Panairi organizohet në datat 21 – 24 nëntor në Pallatin e Kongreseve në kryeqytetin e Shqipërisë, ku gjatë ditëve në vazhdim në kuadër të tij do të organizohen disa aktivitete.