Hamilton fluturon në provat e lira në Francë, Ferrari mendon për garën

Mercedes dhe Lewis Hamilton kanë dominuar sesionin e parë dhe të dytë të provave të lira në Çmimin e Madh të Francës, zhvilluar në pistën Paul Ricard.

Lewis Hamilton me Mercedes ka qenë më i shpejti sot në të dyja sesionet e para të provave të lira të zhvilluara në pistën franceze të Paul Ricard, të vlefshme për Çmimin e Madh të Francës në Formula 1.

Kampioni i Botës kërkon revanshin pas dështimit në Kanada dhe paraqitja e tij ishte mbresëlënëse, në të dyja sesionet, në një pistë ku pati shumë probleme. Në sesionin e parë britaniku e ndali kohën në 1.32.231, ndërsa në të dytën nuk zbriti nën 1.32.539.

Duket se motori i ri Mercedes që është montuar te makina kampione e botës bëri diferencën në provat e sotme edhe pse nuk mund të thuhet e njëjta gjë për shokun e tij të skuadrës, Valtteri Bottas (pati një problem teknik), i shtati, 1.5 sekonda më i avashtë se Hamilton.

Në vendin e dytë dhe të tretë u renditën dy makinat Red Bull, me Daniel Riccardo që la pas shokun e tij të skuadrës Max Verstappen dhe më pas u renditën dy makinat Ferrari. Kimi Raikkonen u klasifikua në vendin e katërt, ndërsa Sebastian Vettel i pesti. Duket se te makina italiane nuk u morën shumë me xhiron e shpejtë, por me ritmikn e garës, duke qenë se testoi gomat që do të përdorë ditën e diel. Në vendin e tetë u rendit Fernando Alonso me McLaren, ndërkohë që në “top 10” edhe dy makinat Haas, me Grosjean në vendin e gjashtë dhe Magnussen në vendin e nëntë.

Për t’u veçuar në sesionin e dytë është një ndëprerje prej 45 minutash, kur njëvendëshes Force India të Sergio Perez ju shkëput goma e pasme dhe fluturoi në pistë. Shefi i garës sinjalizoi flamurin e kuq, duke ndërprerë provat.