Hahn uroi mbështetjen e gjerë për Marrëveshjen e Prespës

Ai në një prononcim në rrjetin social Twitter më tej tha se pret që liderët ta respektojnë vullnetin e tyre, duke thënë se Marrëveshja e Prespës ka marrë mbështetje të gjerë nga qytetarët me votën “për”

Komisioneri evropian për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn i uroi qytetarët që votuan në referendumin e sotëm për çështjen e emrit dhe rrugën evroatlantike, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ai në një prononcim në rrjetin social Twitter më tej tha se pret që liderët ta respektojnë vullnetin e tyre, duke thënë se Marrëveshja e Prespës ka marrë mbështetje të gjerë nga qytetarët me votën “për”.

“I uroj ata qytetarë që votuan në referendumin e sotëm konsultativ dhe realizuan të drejtën e tyre demokratike. Me vota shumë të konsiderueshme “për”, ekziston mbështetje e gjerë për Marrëveshjen e Prespës dhe për rrugën evroatlantike të vendit. Tani pres që të gjithë liderët politikë ta respektojnë këtë vendim dhe ta zbatojnë me përgjegjësinë më të madhe dhe unitet mes partive, në interes të vendit”, shkroi komisari Hahn.

Ndryshe referendumi u mbajt pas Marrëveshjes së qershorit midis Maqedonisë dhe Greqisë, e cila parashikon ndryshimin e emrit të shtetit në Republika e Maqedonisë së Veriut si kusht kryesor për anëtarësimin e vendit në NATO dhe hapjen e negociatave me BE-në.