Hahn në Beograd: Do t’i bëj thirrje Kosovës të zhbllokojë bashkëpunimin rajonal

Komisari evropian për Zgjerim, Johannes Hahn përmes Twitter-it porositi se në Kosovë do të potencojë nevojën e kthimit të dialogut

 Komisari Evropian për Politika të Fqinjësisë dhe Zgjerim, Johannes Hahn sot në Beograd u dakordua me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, se është e nevojshme që sa më shpejtë të ulen tensionet midis Serbisë dhe Kosovës, duke thënë se do t’i bëj thirrje Kosovës që të zhbllokojë bashkëpunimin rajonal dhe tregtar, raporton Anadolu Agency (AA).

Hahn në Twitter shkroi se pati një takim të mirë me Vuçiçin, ku diskutuan vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës 100 për qind për produktet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, duke vlerësuar se kjo bllokon Marrëveshjen e CEFTA-s dhe Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, si dhe bllokon bashkëpunimin rajonal.

“Do t’i ftoj bashkëbiseduesit e mi në Kosovë që të zhbllokojnë bashkëpunimin rajonal dhe tregtar dhe do të potencoj nevojën e kthimit të dialogut”, ka shkruar Eurokomisari Hahn në Twitter.

Siç njofton Presidenca e Serbisë, Vuçiç paralajmëroi për pasoja të mundshme “hapin e papërgjegjshëm të Prishtinës për rritjen e taksës për produktet serbe, me çka në mënyrë shtesë është shkeluar marrëveshja e CEFTA-s”, duke theksuar se “masat e Prishtinës çojnë në destabilizimin e plotë të të gjithë rajonit dhe mund të çojnë në përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit”.

Ai falënderoi Hahn se kupton situatën dhe për dëshirën e tij për të zgjidhur problemin si dhe për ndihmën e tij ndaj Serbisë në rrugën evropiane, duke shtuar se për progresin e mëtejshëm të rajonit thelbësore është ruajtja e paqes dhe stabilitetit si dhe integrimi i mëtejshëm evropian.

Vuçiç theksoi se Serbia është e gatshme të vazhdojë dialogun me Prishtinën, pasi që Prishtina të tërheqë vendimet e papërgjegjshme.

“Serbia nuk do t’ia kthejë me kurrfarë kundërmasa, sepse dëshiron të mbetet një partner i besueshëm në rajon si dhe në Evropë dhe në botë”, përsëriti ai.

“Hahn thotë se stabiliteti afatgjat kërkon pajtimin dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe shprehu mbështetjen e plotë për përpjekjet për zgjidhjen e krizës me mjete paqësore, duke respektuar normat e së drejtës publike ndërkombëtare si dhe marrëveshjet e arritura rajonale”, thuhet në deklaratë.

Siç u njoftua më parë, Hahn më vonë do të qëndrojnë edhe në Prishtinë, ku do të takohet me përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës.