Guterres: Pavarësisht fillimit të Ramazanit, vrasjet, bombardimet dhe masakrat vazhdojnë në Gaza

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres tha se vrasjet, bombardimet dhe masakrat vazhdojnë në Gaza pavarësisht fillimit të Ramazanit, duke bërë thirrje për armëpushim të menjëhershëm, raporton Anadolu.

Duke rikujtuar në një deklaratë për gazetarët në selinë e OKB-së në New York, se ka filluar muaji i Ramazanit, në të cilin muslimanët në mbarë botën festojnë dhe përhapin vlerat e paqes, pajtimit dhe solidaritetit, Guterres tha: “Pavarësisht fillimit të Ramazanit, vrasjet, bombardimet dhe masakrat vazhdojnë në Gaza”.

Ai tha se konflikti në Gaza tashmë ka hyrë në muajin e tij të 6-të. “Sot, në frymën e Ramazanit, bëj një thirrje të fortë për heshtjen e armëve dhe heqjen e të gjitha pengesave për të ofruar ndihma jetëshpëtuese në nivelin dhe shpejtësinë e kërkuar”, shtoi Guterres.

Kreu i OKB-së gjithashtu kërkoi lirimin e të gjitha pengjeve. “Sytë e botës janë mbi ne. Sytë e historisë janë mbi ne. Nuk mund ta kthejmë kokën në anën tjetër. Duhet të marrim masa për të parandaluar vdekjet e parandalueshme”, theksoi ai.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së vuri në dukje se ligji ndërkombëtar humanitar është shkatërruar dhe paralajmëroi se sulmi i Izraelit në Rafah do ta shtynte popullin e Gazës më thellë në një rreth ferri.

Guterres bëri thirrje për armëpushim edhe në Sudan gjatë muajit të Ramazanit.