Grupi i Grave Sipërmarrëse të ATTSO aktivitet për donacionin për familjet në nevojë

Makinat qepëse janë dhuruar për nënat e fëmijëve jetimë nga artisja Almeda Abazı Sayışman dhe bashkëshorti i saj, aktori turk Tolgahan Sayışman

Grupi i Grave Sipërmarrëse të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri – Turqi (ATTSO) ka organizuar aktivitetin për ndarjen e donacionit për familjet në nevojë, raporton Anadolu Agency (AA).

Aktiviteti i shpërndarjes së makinave qepëse për 50 familje që kanë fëmijë jetimë, që janë pjesë e Fondacionit ALSAR, u organizua me pjesëmarrjen e Ayşegül Erdal Yörük, bashkëshortes së Ambasadorit të Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yöruk dhe përfaqësuesve të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri – Turqi (ATTSO).

Makinat qepëse janë dhuruar për nënat e fëmijëve jetimë nga artisja Almeda Abazı Sayışman dhe bashkëshorti i saj, aktori turk Tolgahan Sayışman, të cilët ndoqën aktivitetin gjatë një komunikimi online dhe përshëndetën të pranishmit.

Ayşegül Erdal Yörük, kryetarja e nderit e Grupit të Grave Sipërmarrëse të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri – Turqi, në fjalën e saj gjatë aktivitetit tha se në veprimtaritë për ndihma sociale që kanë zhvilluar iu është dhënë përparësi ndihmave për nënat dhe fëmijët.

“Ne mbështesim veprimtarinë sipërmarrëse të grave në Shqipëri dhe synojmë që ato të prodhojnë dhe t’i sigurojnë vetë të ardhurat. Në këtë mënyrë kontribuojmë edhe në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë dhe në shtimin e punësimit”, tha Ayşegül Erdal Yörük.

Ajo falënderoi artistët Almeda Abazı Sayışman dhe Tolgahan Sayışman, si dhe Ambasadën e Turqisë në Tiranë për mbështetjen e vazhdueshme për aktivitetet e shpërndarjes së ndihmave.

Kryetarja e Grupit të Grave Sipërmarrëse të ATTSO, Ozlem Kal, tha se fuqia ekonomike e gruas përkthehet në një strukturë familjare dhe shoqërore më të fortë, një brez më të mirë dhe një të ardhme më të shndritshme. “Shpresoj që kjo miqësi mes nesh do të na hapi rrugët për të bërë punë më të mira dhe për të zhvilluar projekte me fokus gruan”, theksoi Ozlem Kal.

Ndërsa kryetari i Fondacionit ALSAR, Mehdi Gurra, tha gjatë aktivitetit se po mundohen që këtyre nënave dhe fëmijëve t’ju vijnë në ndihmë. “Duke ju ardhur në ndihmë atyre, ne kemi bërë edhe realizimin e porosisë të ndihmës që kemi marrë nga pala turke. Kemi realizuar misionin tonë si urë lidhëse midis donatorit dhe personave që kanë pas nevojë për këtë ndihmë”, tha Gurra.

Kujtojmë se edhe më parë Grupi i Grave Sipërmarrëse të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri – Turqi ka shpërndarë ndihma në Shqipëri për familjet në nevojë.