Greqia njofton masa të reja për të luftuar huliganizmin dhe dhunën në sport

Qeveria e Greqisë ka njoftuar masa të reja për të luftuar huliganizmin dhe dhunën në sport pas vrasjes brutale të një tifozi 19-vjeçar të futbollit javën e kaluar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Masat e ndërmarra në një takim të kryesuar nga kryeministri Kyriakos Mitsotakis, përfshijnë një kuadër më të rreptë legjislativ që rregullon shoqatat dhe klubet e tifozëve, ndryshime në kodin penal dhe kontroll më të rreptë nga policia.

Sipas zëdhënësit të qeverisë, Giannis Oikonomou, policia veproi shumë shpejt për të zbardhur vrasjen brutale të Akis Kambanos dhe tashmë ka arrestuar nëntë nga 11 të dyshuarit.

Ata akuzohen me akuza të shumta se kanë vepruar së bashku për të kryer vrasje dhe për tentativë për vrasje.

Oikonomou shtoi se federata greke e futbollit po ashtu do të përballet me një sërë ndryshimesh sipas një projektligji që do të arrijë në parlament në javët e ardhshme.

“Në dy vitet e fundit janë bërë hapa shumë domethënëse. Qeveria do të vazhdojë në këtë drejtim dhe presim që të gjithë të ndihmojnë shtetin grek në përpjekjen për të zhdukur dhunën sportive. Në fund të fundit, është një çështje që na bashkon të gjithëve”, tha ai.

Kambanos, një tifoz i klubit të futbollit Aris, më 1 shkurt u rrah dhe u godit me thikë për vdekje pranë stadiumit të klubit Aris të Selanikut nga mbështetës të dyshuar të PAOK-it.

Dy skuadrat në Selanik kanë një rivalitet të ashpër.

19-vjeçari u u rrah pasi nga sulmuesit e akuzuar u pyet se cilin klub ai e mbështet.