Greqia heq shumicën e masave kufizuese, hapet për turistët

Një e pesta e ekonomisë së Greqisë është e varur nga sektori i turizmit dhe 20% e punëtorëve janë të punësuar prej tij.

Greqia ka nisur sezonin e saj turistik, duke hequr shumicën e kufizimeve të mbetura në fuqi deri më tani.

Pavarësisht kësaj, çdo ditë në Greqi raportohen mesatarisht 2 mijë raste të reja, ndërsa vijon procesi i vaksinimit.

Turistët gjermanë kanë filluar të fluturojnë drejt Greqisë. Nga 17 maji edhe turistët britanikë janë të lirë të udhëtojnë drejt saj, edhe pse këshillohen të mos e bëjnë. Pasi kushdo që kthehet në Angli ose Skoci do të duhet të futet në karantinë për 10 ditë.

Vetëm për vendet e “listës së gjelbër”, siç është Portugalia, rregullat do të lehtësohen ndjeshëm.

Greqia ka ende disa kufizime. Por ka ndryshime të mëdha. Tashmë nuk është e nevojshme që qytetarët të dërgojnë mesazh me tekst sa herë dalin nga shtëpia për pazar, lejohet lëvizja midis rajoneve, dhe shtetrrethimi tani është i kufizuar mes orës 00:30 dhe 05:00.

Një e pesta e ekonomisë së Greqisë është e varur nga sektori i turizmit dhe 20% e punëtorëve janë të punësuar prej tij.

“Ne po hapim industrinë tonë turistike për botën,” njoftoi Ministri i Turizmit Haris Theoharis.

Çfarë duhet të bëjnë turistët

Turistët nga një listë e 53 vendeve të aprovuara duhet të plotësojnë një formular për gjetjen e pasagjerëve (PLF) një ditë para se të udhëtojnë, duke renditur se ku po qëndrojnë dhe duke bashkëngjitur me të një certifikatë vaksinimi, një test negativ PCR ose një dokumentacion të rikuperimit sëfundmi nga koronavirusi.

Fluturimet nga disa aeroporte gjermane, përfshirë Frankfurtin, Dyseldorfin, Hanoverin dhe Shtutgartin, zbarkuan në aeroportin Heraklion në Kretë të Premten në mëngjes. Gjigandi i udhëtimit Tui tha se po rifillonte fluturimet për në Kos, Rodos dhe Korfuz të Shtunën dhe pjesën tjetër të Greqisë muajin tjetër.

Fluturimet charter gjithashtu u ulën në Rodos, kryesisht nga Polonia dhe Izraeli.

Gjithashtu edhe muzetë hapën dyert për vizitorët, ndërsa ne ditët në vijim pritet të rifillojnë një sërë aktivitetesh të tjera. Ceremonitë martesore dhe pagëzimet do të lejohen të kryen duke filluar nga qershori.

Deri më tani një në katër grekë kanë marrë një dozë të parë dhe qeveria greke po përshpejton fushatën e saj në dhjetëra ishuj, veçanërisht destinacionet turistike.

Ministrat thonë se 32 ishuj më të vegjël kanë përfunduar programet e tyre të vaksinimit dhe dhjetra të tjerë me popullsi deri në 10 mijë do të vaksinohen deri në fund të majit. Banorëve në ishujt më të mëdhenj do t’u jepet vaksina me një dozë të vetme Johnson & Johnson deri në fund të qershorit, thonë zyrtarët.

Greqia ende nuk ka marrë një vendim në lidhje me Shqipërinë, e cila nuk përfshihet në listën e vendeve që mund të udhëtojnë lirisht drejt saj. /BBC