“Greqia është e gatshme të ndihmojë Malin e Zi në rrugën drejt BE-së”

Pavlopoulos, i cili qëndron për vizitë në Mal të Zi, u takua sot me presidentin malazez, Milo Gjukanoviç

Presidenti grek, Prokopis Pavlopoulos, theksoi sot se Greqia është e gatshme të ndihmojë Malin e Zi në implementimin e legjislacionit të Bashkimit Evropian (BE), raporton Anadolu Agency (AA).

Pavlopoulos, i cili qëndron për vizitë në Mal të Zi, u takua sot me presidentin malazez, Milo Gjukanoviç.

Pavlopoulos theksoi se Greqia dhe Mali i Zi që nga viti 2017 janë partnerë në NATO, ndërsa bashkëpunimi ushtarak filloi në vitin 2007.

“Greqia jep një numër të konsiderueshëm të bursave për kadetët që shkollohen në akademitë ushtarake greke. Ne natyrisht mbështesim pranimin gradual të Malit të Zi në Bashkimin Evropian dhe ne jemi gjithmonë në dispozicionin tuaj për të ndihmuar në zbatimin e zhvillimeve ligjore evropiane në sistemin e tij”, tha presidenti grek.

Siç tha ai, Greqia gjithmonë do të ndihmojë Malin e Zi duke ofruar ndihmë profesionale dhe teknike në organizimin e administratës publike.

“Dhe sidomos në zbatimin e asaj që konsiston me sundimin e ligjit,” shtoi Pavlopoulos.

Ai gjithashtu tha se Greqia është për përparimin e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së.

“Evropa ka nevojë për krijimin e një krahu të Europës Juglindore, sepse pa këto krahë nuk mund të jetë mjaft e fortë, prandaj duam që edhe vendet tjera në rajon të përparojnë në të njëjtën mënyrë si Mali i Zi që po përparon”, tha Pavlopoulos.

Ai tha se të gjitha shtetet që dëshirojnë të bëhen anëtare të BE-së doemos duhet të respektojnë plotësisht legjislacionin evropian dhe të drejtën ndërkombëtare.

“Popujt që dëshirojnë të anëtarësohen në BE doemos fillimisht duhet të zgjidhin të gjitha mospajtimet që kanë me fqinjët e tyre. Evropa nuk guxon të jetë hapësirë për këto konteste”, porositi Pavlopoulos.

Presidenti malazez, Milo Gjukanoviç, theksoi se Greqia ofron mbështetje të vazhdueshme për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.

Ai vlerësoi se që nga Samiti i BE-së në vitin 2003, rajoni ka bërë përparim të konsiderueshëm dhe se kjo tregon se mbështetja vjen jo vetëm nga Greqia, por edhe nga anëtarët tjerë të BE-së.

“Në bisedën kemi marrë këshilla të hapura dhe miqësore për mënyrën se si të krijojmë strategji dhe të përmbushim integrimet evropiane në një kohë që nuk është e rregullt, për shkak të pasojave të krizës në hapësirën evropiane”, tha Gjukanoviç.

Presidenti malazez tha se sot janë nënshkruar marrëveshje për kulturën dhe punët e brendshme, ndërsa gjatë takimit gjithashtu është diskutar për bashkëpunimin ekonomik, si dhe atë gjyqësor.