Greqi, hyn në fuqi dekreti për zgjerimin e ujërave territoriale në 12 milje në Detin Jon

Sipas njoftimit dekreti në fjalë u publikua brenda fushës së zbatimit të Konventës Ndërkombëtare mbi të Drejtën Detare

Dekreti në Greqi për zgjerimin e ujërave territoriale nga 6 milje në 12 milje në Detin Jon ka hyrë në fuqi pasi është publikuar në ‘Gazetën Zyrtare’, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në njoftimin nga Ministria e Jashtme e Greqisë thuhet ka hyrë në fuqi dekreti për mbylljen e gjireve dhe nxjerrjen e skicave kryesore të drejta, në zonën detare të Detit Jon në perëndim, duke filluar nga Ishujt e Jonit në afërsi të Shqipërisë e deri në Kepin Tenaro në skajin jugor të Gadishullit të Peloponezit.

Sipas njoftimit dekreti në fjalë u publikua brenda fushës së zbatimit të Konventës Ndërkombëtare mbi të Drejtën Detare. “Kjo lëvizje e Greqisë përbën një të drejtë dhe një hap të domosdoshëm në procesin e zgjerimit të ujërave territoriale në Detin Jon”, pretendohet në njoftim.

Në njoftimin e ministrisë, u bë e ditur se në dekret është theksuar se Greqia rezervon të drejtën për të ushtruar të drejta të ngjashme në rajone të tjera të vendit.

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, në një fjalim në parlamentin grek, duke pohuar se sipas nenit 3 të Konventës së të Drejtës Detare, “kanë të drejta sovrane” në Detin Jon, tha se planifikojnë të zgjerojnë ujërat territoriale të vendit nga 6 milje në 12 milje ne Detin Jon.

Mitsotakis pati theksuar se Greqia “mund të përdorë të drejtën e saj për të zgjeruar edhe ujërat e saj territoriale për zonat e tjera detare në të ardhmen”, duke e cilësuar “me rëndësi historike dhe politike” marrëveshjen e zonës ekonomike ekskluzive (EEZ) me Egjiptin në Mesdheun Lindor.