Greqi, arrestohen mbi 100 protestues në Athinë

Protestuesit u mblodhën për të shënuar 12 vjetorin e vrasjes së një djali 15-vjeçar nga policia greke

Mbi 100 persona janë arrestuar në kryeqytetin e Greqisë, të cilët u mblodhën për të shënuar 12 vjetorin e vrasjes së një djali 15-vjeçar nga policia greke, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas “Athens-Macedonian News Agency”, protesta u tensionua kur policia u përpoq të shpërndajë demonstruesit që u mblodhën në pjesën qendrore të Athinës ku ndodhi vrasja.

Qeveria ka shpallur ndalesë të tubimeve publike të më shumë se tre personave si masë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri (COVID-19).

Disa protestues u përpoqën të mbanin parulla, por ku u ndaluan nga policia.

Ndërkohë, policia greke njoftoi se 5 policë u plagosën dej pas një sulmi mafioz jashtë stacionit të policisë në Kolonos, një periferi që ndodhet në veriperëndim të Athinës.

Nga policia greke njoftuan se janë arrestuar rreth 80 persona.

“Dje, më 5 dhjetor 2020, rreth 80 persona me fytyra të mbuluara, që mbanin helmeta dhe maska duke mbuluar tërë fytyrën, u përpoqën t’i afroheshin dhe të sulmonin stacionin e policisë në Kolonos”, tha policia.

“Ata ofenduan dhe sulmuan policët e njësisë DIAS të cilët u përpoqën t’i bllokonin. Gjatë sulmit, i cili zgjati përafërsisht 10 minuta, ata përdorën shkopinj druri, thika, aparate për shuarjen e zjarrit, gaz lotsjellës dhe gjëra të tjera”, njoftuan nga policia greke.

Aleksis Grigoropulos, një djalosh 15-vjeçar, u qëllua për vdekje nga oficeri i policisë Epaminondas Korkoneas më 6 dhjetor 2008 pasi oficerët iu afruan një grupi adoleshentësh dhe pretendohet se i provokuan ata. Pasoi një shkëmbim verbal i cili çoi në vrasjen e djalit.

Vdekja e djaloshit Grigoropulos shkaktoi trazirat më të këqija që janë parë në Athinë që nga rënia e diktaturës greke në vitin 1974.