Gratë që postojnë foto pa velin islamik mund të marrin dënim deri në 10 vjet burg në Iran

Për të bërë më të besueshme nismën, Irani akuzon dhe aktivisten Alinejad se është një bashkëpunëtore e SHBA.

Një deri në 10 vjet burg. Ky është dënimi i rëndë që autoritetet iraniane kanë parashikuar për gratë vendase që do të nxjerrin në rrjetet sociale foto të tyre pa velin islamik. Kjo lëvizje ka nisur për të shmangur fushatën që aktivistja Masih Alinejad nisi në SHBA disa vjet më parë, ku ftonte vajzat dhe gratë nga Republika e Iranit që të protestonin dhe të dilnin hapur pa velin që i mbulonte.

Ky paralajmërim për tolerancë zero ndaj këtyre akteve vjen nga kreu i Gjykatës Revolucionare të Iranit. Për të bërë më të besueshme nismën, Irani akuzon dhe aktivisten Alinejad se është një bashkëpunëtore e SHBA.

Në fakt shumë femra iraniane i janë bashkuar aktivistes Alinejad me fushatat e tyre “Liria ime klandestine” dhe “Të mërkurat e bardha” për të protestuar kundër detyrimit për të veshur hixhab, i cili u bë i detyrueshëm nga autoritetet që nga vitit 1983.