Gramoz Ruçi shtron Iftar: Mirëkuptimi fetar, arkitektura model e shoqërisë shqiptare

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, shtroi sot Iftar me rastin e muajit të Ramazanit.

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, shtroi sot Iftar me rastin e muajit të Ramazanit.

“Ju faleminderit që erdhët në këtë mbrëmje të bukur, në këtë gëzim fetar, njerëzor e miqësor, që na bashkon të gjithëve, në Muajin e Shenjtë të Ramazanit. Gjatë këtij muaji të bekuar myslimanët shqiptarë, si një miliard e gjysmë myslimanë të globit, gëzohen, kremtojnë e bëjnë sakrificë. Por gëzimit të tyre u bashkohen edhe shumë shqiptarë, të besimeve të tjera”, – tha Ruçi.

Kreu i Kuvendit u shpreh se “të tillë jemi ne, që ngjarjet e rëndësishme fetare i ndajmë me njeri-tjetrin dhe kështu gëzimi që sjellin ato shtohet. Kombi shqiptar, i vogël në numër, por i madh për nga historia, trashëgimia, sakrificat, aspiratat dhe besimi në të ardhmen është i bashkuar rreth besimeve dhe ka ndërtuar e ndërton përditë paqen e mirëkuptimin midis tyre. Cilido qoftë besimi ynë, ne jemi të gjithë një familje”, raporton ATA.

“E them me bindje të plotë se mirëkuptimi fetar është modeli më solid që shërben si arkitekturë e ndërtimit të një shoqërie me kohezion, barazi e drejtësi shoqërore dhe prej të cilit të gjithë kemi ç’të mësojmë. Është momenti ideal në historinë dhe në jetën tonë që provon sesi liria prodhon dashuri, solidaritet, përdëllim e përkushtim për tjetrin, fqinjin, të ndryshmin, të pafuqishmin, nevojtarin”, – u shpreh Ruçi.

Kryetari i Kuvendit Ruçi tha se “muaji i Ramazanit është një mundësi që tregon se ne, njerëzit, jo vetëm bëjmë sakrifica me vetëdisiplinë e durim, por edhe tejkalojmë kufizimet tona, paragjykimet, armiqësitë, paditurinë dhe padrejtësinë. I kapërcejmë këto kufizime jo vetëm me fjalë, por me veprime që tregojnë shpirtin tonë të madh, zemrën tonë të gjerë, mendjen tonë të ndriçuar dhe vlerat tona të spikatura”.