Gramoz Ruçi: Shqipëria e përkushtuar të punojë ngushtësisht me Gjermaninë

Gjatë takimit, kryeparlamentari Ruçi e njohu delegacionin gjerman me rezultatet në procesin e reformave në Shqipëri, me fokus integrimin në Bashkimin Evropian (BE), reformën në drejtësi dhe reformën zgjedhor

 Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, zhvilloi një takim me një delegacion të Komisionit të Ligjeve dhe Mbrojtjes së Konsumatorit të Bundestagut të Gjermanisë, të kryesuar nga kryetari i këtij komisioni, Stephan Brandner, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në njoftimin e Kuvendit të Shqipërisë thuhet se gjatë takimit, kryeparlamentari Ruçi e njohu delegacionin gjerman me rezultatet në procesin e reformave në Shqipëri, me fokus integrimin në Bashkimin Evropian (BE), reformën në drejtësi dhe reformën zgjedhore.

“Gjermania është një vend mik dhe partner i rëndësishëm strategjik i Shqipërisë, ndër vendet udhëheqëse të Europës, lokomotiva e ekonomisë dhe e politikave të saj realiste dhe progresiste. Ne vlerësojmë rolin e Gjermanisë si një partner strategjik, burim lidershipi dhe nxitëse e proceseve integruese në Ballkan, edhe në kuadër të Procesit të Berlinit”, është shprehur Ruçi gjatë takimit.

Më tej gjatë takimit Ruçi ka theksuar se: “Shqipëria mbetet e përkushtuar të punojë ngushtësisht me Gjermaninë në mënyrë që të arrijmë progres të mëtejshëm në reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe gjithashtu që të trajtojmë probleme specifike si aplikimet e pabaza për azil të shtetasve shqiptarë, trafiqet e paligjshme të të gjithë llojeve, etj. Kuvendi dhe Qeveria janë maksimalisht të angazhuar për të kurorëzuar me sukses procesin e hapjes së negociatave në qershor 2019”.

Ndërsa kryetari i Komisionit të Ligjeve dhe Mbrojtjes së Konsumatorit të Bundestagut gjerman, Stephan Brandner, sipas njoftimit theksoi se Shqipëria është një partner i rëndësishëm i Gjermanisë.

“Këtë e tregon edhe fakti që e para vizitë jashtë vendit e Komisionit të Ligjeve të Bundestagut realizohet në Shqipëri”, është shprehur zyrtari gjerman.

Kujtojmë se në javët e fundit Shqipërinë e kanë vizituar zyrtarë të ndryshëm gjermanë, të cilët gjatë takimit me zyrtarët e Shqipërisë kanë diskutuar për disa çështje, si për bashkëpunimin mes dy vendeve, procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe çështje të tjera.