Gramoz Ruçi: Raportimet e institucioneve duhet të jenë sa më korrekte

Në fjalën e tij, Kryetari i Kuvendit, Ruçi tërhoqi vëmëndjen në atë se përfaqësuesit e insitucioneve të pavarura, sipas tij nuk i janë përgjigjur kërkesës së Kuvendit për të informuar

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi zhvilloi ditën e sotme një takimin me drejtuesit e institucioneve të pavarura, të cilat raportojnë në Kuvendin e Shqipërisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në aktivitetin që u zhvillua në Kryesinë e Kuvendit të Shqipërisë ishin të pranishëm përfaqësues nga Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Avokati i Popullit, Kontrolli i Lartë i Shtetit, Enti Rregullator i Energjisë, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Prokuroria e Përgjithshme, Banka e Shqipërisë, Komisioneri për Mbikqyrjen e Shërbimit Civil, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Komisioneri i Prokurimit Publik, etj.

Në fjalën e tij, kryetari i Kuvendit, Ruçi tërhoqi vëmëndjen në atë se përfaqësuesit e insitucioneve të pavarura, sipas tij nuk i janë përgjigjur kërkesës së Kuvendit për të informuar.

“Duhet të jeni konkretë në detyrimet tuaja ndaj Kuvendit të Shqipërisë dhe se kjo situatë është e patolerueshme. Institucionet e pavarura nuk mund të pengojnë dhe ngadalësojnë rrezen e kontrollit parlamentar. Komisionet dhe shërbimet e Kuvendit duhet të bëhen më dinamikë dhe rezultativë në punën e tyre, të cilat bëhen pjesë e rezolutave. Në Kuvend nuk është përcjellë asnjë informacion në lidhje me këtë detyrim. Gjatë vitit 2018 vetëm 8 institucione i janë përgjigjur në kohë detyrimeve që ngarkon manuali i monitorimit. Janë për ta raportuar ende dhe 13 institucione. Në zbatim të nenit 103 të rregullore së Kuvendit, Kuvendi ka miratuar plot 20 rezoluta për institucionet e pavaruara”, tha Ruçi.

Sipas tij, raportimet e institucioneve duhet të jenë sa më korrekte në dhënien llogari ndaj qytetarëve.

“Disa institucione nuk janë të qarta në raportim. Institucionet duhet të tregohen më të ndjeshme në rekomandime. Shërbimi i Monitorit duhet të evidentojë me përparësi çështjet me ndjeshme për të cilat janë dhënë këto rekomandime ndaj institucioneve të pavarura dhe të sygjerojnë vënien në lëvizje të mekanizmit për mbrojtjen parlamentare dhe komisionet e përhershme parlamentare”, deklaroi Ruçi.

Në përfundim të fjalës së tij, kryeparlamentari Ruçi kërkoi nga institucionet e pavarura që të riorganizojnë vendosjen e personave të kontaktit për të shmangur vonesat në përgjigjet që duhet të japin.