Gramoz Ruçi: Kosova kërkon më shumë njohje ndërkombëtare

"Republika e Kosovës, një shtet i ri i krijuar prej një dekade, prej përpjekjesh titanike të forcave më progresiste të botës kërkon me legjitimet, me meritë dhe me dinjitet më shumë njohje ndërkombëtare”

 Sesioni i dytë plenar i Parlamentit Ndërkombëtar për Tolerancë dhe Paqe (IPTP), ka mbledhur në Tiranë së bashku zyrtarë të lartë të Shqipërisë dhe vendeve të tjera, për të diskutuar për paqen dhe tolerancën, raporton Anadolu Agency (AA).

Gjatë sesionit në sallën e seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë, mbajtën fjalë përshëndetëse presidenti i vendit, Ilir Meta, kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, zëvendëskryeministrja e Shqipërisë, Senida Mesi, kryetari i Parlamentit të Republikës së Maltës, Anglu Farrugia dhe presidenti i Parlamentit Ndërkombëtar për Tolerancë dhe Paqe, Taulant Balla.

– ”Sfida e përbashkët e Ballkanit Perëndimor është ajo e integrimit të plotë në BE”

Presidenti Meta në fjalën e tij tha se është një vlerësim i merituar për Shqipërinë që të jetë mikpritëse e një eventi të tillë me impakt global.

“Sot kur shikojmë një botë të trazuar me luftra dhe konflikte etnike, fetare dhe civile, me pasoja katastrofike për miliona njerëz të pafajshëm, ndihemi të keqardhur që nuk po arrijmë të menaxhojmë konfliktet me mjete paqësore, por zgjedhim dhunën për të fituar një paqe të brishtë. Dëshmia më e gjallë e kësaj ‘zgjedhjeje të dështuar’ është konflikti në Siri, në Jemen, në Libi dhe në zona të tjera të Lindjes së Mesme. Terrorizmi dhe ekstremizmi fetar po shfrytëzojnë ‘globalizmin e propagandës’. Ithtarët e tyre po përdorin instrumente jo konvencionale të dhunës për të frymëzuar përçarjen mes civilizimeve, popujve dhe kulturave të ndryshme”, tha Meta.

Sipas Metës, ky forum dhe kjo platformë unikale ndërkombëtare e Këshillit Botëror për Tolerancën dhe Paqen, është në linjë me objektivat e Organizatë së Kombeve të Bashkuara, duke kontribuar, sipas tij, më së miri në promovimin e kulturës së paqes dhe tolerancës mes kombeve, në luftën kundër diskriminimit racor dhe gjinor, ekstremizmit fetar dhe etnik.

Më tej gjatë fjalës së tij, Meta tha se sfida e përbashkët e Ballkanit Perëndimor është ajo e integrimit të plotë në BE dhe shtoi se Shqipëria luan rolin e saj konstruktiv në nxitjen e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Duke folur për rolin e Shqipërisë në rajon Meta tha se Shqipëria është një kontribuese e palodhur për paqen dhe bashkëpunimin dhe për politikën e fqinjësisë së mirë. Meta tha se inkurajojnë zhvillimet pozitive që do të çojnë drejt zbatimit të marrëveshjes për emrin mes Greqisë dhe Maqedonisë.

– Republika e Kosovës kërkon me meritë dhe me dinjitet më shumë njohje ndërkombëtare”

Në fjalën e tij, kryeparlamentari Ruçi u bëri thirrje delegacioneve të huaja pjesëmarrëse për njohjen e Kosovës. “Nga kjo tribunë në emër të popullit të Shqipërisë dhe kombit shqiptar ju bëj thirrje që të rikujtoni kolegët tuaj parlamentarë, por dhe qeveritë që ju keni votuar se Republika e Kosovës, një shtet i ri i krijuar prej një dekade, prej përpjekjesh titanike të forcave më progresiste të botës kërkon me legjitimet, me meritë dhe me dinjitet më shumë njohje ndërkombëtare”, tha Ruçi.

Kryeparlamentari i Shqipërisë, tha se qeveritë e vendeve anëtare të IPTP-së, që nuk e kanë njohur ende Kosovën, me njohjen i kontribuojnë paqes, tolerancës, stabilitetit dhe sigurisë globale.

Të pranishëm në këtë takim ishin edhe presidenti i Këshillit Botëror për Tolerancën dhe Paqen, Ahmed Bin Mohammed Al- Jarwan, përfaqësues nga Lidhja Arabe, politikanë dhe diplomatë të akredituar në Tiranë. Gjatë ditës së djeshme u mblodhën komisionet parlamentare të IPTP-së, ndërsa sesioni i përfundon sot punimet. Kujtojmë se sesioni i parë i Parlamentit Ndërkombëtar për Tolerancë dhe Paqe (IPTP) u mbajt në muajin korrik të këtij viti në Maltë.