Goditje ndaj teknologjisë së vjetër politike

Nga Redi Shehu

Ajo që dukej e pamundur, në fakt , tashmë thjesht ka ndodhur. Pak kohë më parë kthimi i z.Berisha në skenën politike aktive, dukej një pretendim tejet ambicioz dhe pothuaj i pamenduar.  Por tani, kur të gjithë ne kemi përcjellur imazhet e z. Berisha, i cili në formë kalorsiake u kthye në majën e pushtetit ekzekutiv  partiak para vëmendjes së miliona shikuesve, menjëherë të kthehen në mendje shumë paradigma historike të cilat kanë treguar se shpesh gjërat  e pamundura në bindje, transformohen në të mundura reale, thjesht duke modeluar vijën ndarëse që ekziston mes bindjes dhe pritshmërisë.

Dorëheqja e tij në vitin 2013 si kryetar i Partisë Demokratike,  u shoqërua me mbylljen e nje epoke në politikën moderne shqiptare. Si një individualitet historik, ai arriti që me prezencën e tij të shënonte hapjen e epokës së re në fillim te vitetve ‘90 dhe po me ikjen e tij shënoi fundin e kësaj epoke. Ndryshe nga z.Nano, i cili pretendonte se historia i vinte nga pas, në rastin e z. Berisha është ai që me “persistencën” e tij (ashtu siç kishte qejf ta quante vetë ai) i ka shkuar pas historisë duke i dhënë  asaj kuptimin politik që kemi sot.  Në një mënyrë ose tjetër, të dy kalorësit e vjetër të demokracisë së re shqiptare, Nano dhe Berisha, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë moderne  duke ndërtuar modelin e politikës së re në demokraci. Që të dy vinin nga shkolla e vjetër e sistemit komunist dhe përpjekja e tyre për ta implementuar demokracinë shqiptare,  ishte materializimi i asaj shprehjeje që thoshte: “së pari japim provime, pastaj mësojmë gjëra”. Gjatë këtyre tre dekadave e kusur të tranzicionit politik, ne kemi dhënë shumë provime me kosto të lartë për shqiptarët për të përfunduar më pas me mësimin e  rregullave dhe ligjësive demokratike.

Kështu, ky lidership, ndërtoi teknologjinë e tij të prodhimit të klasës së re politike e cila ishte e dënuar të kalonte përmes shtegut plot filtra të liderit,  për të marrë më pas trajtën e amplifikuar të tij e përthyer në qindra hallka e institucione duke u shndërruar në frymë të mënyrës se si bëhej politikë. Ajo që ne këmi përjetuar këto dekada të  lirisë, është ekzistenca e dy terreneve përfaqësuese magmatike me amplitudë të lartë. Pra, e djathta dhe e majta shqiptare, që në realitet përfaqësojnë jo përballje programesh por përballje të dy teknologjive politike me të njëjtën lëndë të parë por me ngjyra të ndryshme. Kështu autoritarizmi, korrupsioni, nepotizmi, pragmatizmi, hipnoza elektorale, lufta brënda llojit, modeli “shut-up”,e shumë ministeriotipe që gjallojnë brënda ambjentit pjellor të politikës sonë, përbënin lëndën e përbashkët të dy kahjeve nën drejtimin  e kalorsëve të vjetër të poltikës së re, Nano e Berisha.

Pyetja që shtrohet është se çfarë implikimi pati në këtë teknologji e periudha post Nano dhe periudha post Berisha? Dy prototipet e reja  të Nano-teknologjisë, z. Rama dhe z. Meta patën një kohë krejt të mjaftueshmë për t’u shpalosur para vëmendjes së të gjithëve. Ata u projektuan si gjetje të teknolgjisë politike nanoiste dhe më vonë duke zhvilluar modelin e tyre të politikëbërjes, u profilizuan në individualitete të cilat tashmë rezatojnë një model më të avancuar ndaj liderit të vjetër, të sofistikuar në metoda, por duke ruajtur të njëjtat simptoma. Por, sa është ky model i të dy liderëve të majtë, një produkt i ri, një hap drejt divorcit ndaj të shkuarës politike ? Për ta bërë këtë do  të duhet të përqëndrohemi në gjuhën e veprave. Kështu  do të shohim se të dy liderët e majtës z. Rama dhe z. Meta, gëzojnë një marrëdhënie intime me autoritarizmin, pragmatizmin,  luftën brënda llojit dhe pothuaj e kthyen  në sistem modelin “shut-up”. Ndërsa lidhur me korrupsionin, dëshmitarët më të mirë të tyre kanë qenë vetë ata, ku në mënyrë të ndërsjelltë kanë shkëmbyer akuza të rënda reciproke për afera korruptive. Për sa më sipër, frika jonë se udhëheqja e re me protagonistë të Nano-teknologjisë, nuk do sillte ndonjë model të ri apo frymë të re, u shfaq reale dhe legjitime, sepse modeli i vjetër  tashmë është mbishkruar në ADN-në e liderve të rinj.

Në krahun tjetër të politikës, kemi përfundimin e periudhës “Berisha 1”. Dy kandidaturat e konfirmuara për kryetar të Partisë Demokratike të vitit të largët 2013, z. Basha dhe z. Olldashi, u projektuan zëshëm në ambientin e djathtë politik. Të dy qenë produkt i teknologjisë politike të Berishës dhe dashur pa dashur kanë qenë të përfshirë në tortën e pushtetit ku nuk kishte munguar autoritarizmi, korrupsioni, pragmatizmi, lufta brënda llojit si dhe modeli “shut-up” i alternativave. Në ndryshim  nga majta,  e cila prej pothuaj një dekade  kishte prodhuar liderët e rinj të saj, për herë të pare, Partia Demokratike kaloi sprovën e kryetarit të ri të zgjedhur nga anëtarësia ku z. Basha fitoi me një mbështetje të dukshme të liderit historik tashmë të dorëhequr. Ky ishte rasti për të parë nëse kryetari i ri i zgjedhur i Partisë Demokratike do të ishte thjesht riciklues i teknologjisë së vjetër politike, apo do të strukturonte modelin e ri të tij brënda kuadrit të “Fillimit të ri” ? Kjo dukej se do të ishte jetësore për të djathtën për të dhënë mesazhin, së pari të një legjitimiteti të arsyeshëm si pasojë e zgjedhjeve konkuruese, dhe së dyti, të një mënyre të re të të bërit politikë pa lëndën e vjetër të saj.  Kjo, do të bënte diferencën me teknologjinë politike  të së  majtës tashmë në pushtet, dhe do të ishte një premisë esenciale për ringritje të alternativës së djathtë deri në marrjen e mundshme të pushtetit.

Ajo që ndodhi në fakt ishte një Parti Demokratike e re e cila për pothuaj një dekadë u shfaq në opozitë me fytyrën e z. Basha dhe më zërin e z. Berisha. Vetë z. Basha pati deklaruar publikisht së dyzimi brënda partisë ka qenë problemi kryesor i vrasjes së individualitetit të liderit të ri. Teknologjia e vjetër politike ishte më shumë se kurrë prezente brënda opozitarizmit të Partisë Demokratike. Simptomat e jetës së brëndëshme partiake në opozitë, ishin të njëjta me simptomat e jetës publike në pushtet të PD-së. Metodologjia e ndjekur në opozitë fliste për të njëjtën teknologji të vjetër politike e cila edhe përpos përpjekjeve të kryetarit të ri për rinovime, mbivendosej duke ricikluar shpesh të shkuarën.

Asokohe Partia Demokratike dhe z.Berisha krenoheshin me faktin se partitë e djathta nuk e kanë në fibër të tyren vrasjen e babait politik, siç ndodhi me të majtën e re te z. Rama  e cila u ngrit nga hiri i luftës së brëndëshme. Se teknologjia e tyre në prodhimin e lidershipit të ri politik bazohej në trashëgiminë e natyrshme dhe të qëndrueshme. Por, me 9 shtator të 2021, kur z. Basha përjashtoi  kryetarin në hije të PD-së z. Berisha nga grupi parlamentar, praktikisht duke e vrarë politikisht atë, e gjithë teknologjia e vjetër politike u riorganizua në një luftë të brëndëshme të papreçedent për të konservuar të paprekshme ekzistën e saj. Edhe pse statuja i z. Basha përfqësonte kryeveprën dhe krenarinë politike të liderit të vjetër Berisha, ajo u shkërrmoq pa mëshirë brënda një kohe të shkurtër. Në ndryshim nga Nano-teknologjia politike e cila prodhoi lidership të ri i cili asgjesoi të vjetrën por duke ruajtuar kodet e kësaj teknologjie, e djathta, nuk arriti të prodhonte një lidership të ri autentik dhe të qëndrueshëm i cili do të mund të sillte ndryshimin e koncepteve dhe elitave të vjetra. Përkundrazi, teknologjia politike berishiste e përmbledhur në “berishizmin”, jo vetëm u rikthye, por zaptoi çdo cep brënda një emulacioni imponues, kokëforte dhe krejt të vjetër.

Pas tre dekadash ne ndodhemi në riciklimin e teknologjive të vjetra politike të cilat ndryshojnë emrat, ngjyrat por pak ose aspak kodet dhe metodat. Sot, imperativi jonë, i të gjithë analistëve apo njerëzve të medias dhe studiuesve, mendoj se nuk duhet të jetë përqëndrimi vetëm në shkak-pasojën e ngjarjeve politike, ngase ato janë pika fundore të një teknologjie të vjetër që prodhon herë pas here skandale duke udhëzuar fokusin tonë në detaje që vërtet mund të na japin mjaft material për analizë, por që nuk çojnë në zgjidhjen përfundimtare të problemit. Duhet dekonstruksion i vazhdueshem i teknologjisë së vjetër politike të të dyja krahëve, që ka një ngjashmëri të frikshme si majtas dhe djathtas, marrëveshjet e tyre, ndryshimet kushtetuese, ligjet zgjedhore, listat, demokracia e brëndëshme partive, kufizimi i autoritetit të liderit partiak, si dhe qasja ndaj elitave të reja në politike, duhet të jenë  objektivi kryesor i cili krahas skandaleve, do e vendosë teknologjinë e vjetër nën presionin e përhershëm  të ndryshimit.