Gjysmëhëna e Kuqe e Egjiptit bëri të ditur se kamionët me ndihma janë nisur nga Al Arish i Egjiptit drejt pikës kufitare Rafah me Gazën, raporton Anadolu.
Në një deklaratë për Anadolu, Khaled Zaid, drejtori i Gjysmëhënës së Kuqe Egjiptiane në Sinai verior, tha: “Kamionët e ndihmës janë nisur drejt kufirit Rafah”.
Kamionët përmbajnë furnizime ushqimore dhe pajisje mjekësore, tha ai.
Koha e saktë për hyrjen e ndihmave në vendkalimin Rafah nuk dihet, tha ai, duke shtuar: “Autoritetet egjiptiane kanë kërkuar që kamionët të lëvizin me shpejtësi në vendkalim”.
Shoqata e Gjysmëhënës së Kuqe Egjiptiane është aktualisht përgjegjëse për mbledhjen e ndihmave nga vendet dhe institucionet që po dërgojnë ndihmë humanitare.
Shoqata e Gjysmëhënës së Kuqe Egjiptiane njoftoi në Facebook se që nga mbrëmja e së dielës, pako ndihmash mbërritën në Aeroportin Ndërkombëtar Al Arish nga Türkiye, Jordania dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, përveç mbërritjes së autokolonave tokësore që transportonin qindra kamionë dhe tonelata materiale ndihme nga Koalicioni Kombëtar i Punës për Zhvillim Civil (Asambleja e Bamirësisë egjiptiane).
Dhjetë ditë pas konfliktit me grupin palestinez Hamas, bombardimet izraelite dhe bllokada e Rripit të Gazës kanë vazhduar, ku mbi 1 milion njerëz – pothuajse gjysma e popullsisë së përgjithshme të Gazës – janë zhvendosur.
Gaza po përjeton një krizë të tmerrshme humanitare pa energji elektrike, ujë, ushqime, karburant, ndërsa furnizimet mjekësore janë drejt fundit, ndërsa civilët ikin në jug pas paralajmërimit të Izraelit për të evakuuar zonat veriore.
Konflikti filloi më 7 tetor, kur Hamasi nisi operacionin “Tufani i Aksasë”, një sulm i befasishëm me shumë drejtime, përfshirë një breshëri raketash dhe infiltrimesh në Izrael nëpërmjet tokës, detit dhe ajrit.
Hamasi tha se operacioni ishte në hakmarrje për bastisjet ndaj Xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar dhe dhunës në rritje të kolonëve izraelitë kundër palestinezëve.
Ushtria izraelite më pas nisi operacionin “Shpatat e Hekurta” kundër objektivave të Hamasit brenda Rripit të Gazës.
Përgjigjja e Izraelit është shtrirë deri në ndërprerjen e furnizimit me ujë dhe energji elektrike në Gaza, duke përkeqësuar më tej kushtet e jetesës në një zonë që është përfshirë nën një rrethim paralizues që nga viti 2007.