Gjysëm shekulli nga vdekja e Dervish Korkut

Dervish Korkut dhe bashkëshortja e tij Servete Korkut, për shkak të shpëtimit të librit hebre Haggadah dhe hebrejes së re Mira Papo, janë nderuar me çmimin më të lartë shtetëror të Izraelit "Të Drejtit midis Kombeve"

Është interesante dhe paksa e vështirë të shpjegohet se si sipërfaqësisht është kërkuar dhe në çfarë mase mbeti modest, madje pothuajse i pahetuar, gjurmët e shkruara dhe të dokumetuara të humanistit nga Bosnjë e Hercegovina, të drejtit, orientalistit, antifashistit të dëshmuar, personit me horizonte të paimagjinueshme intelektuale dhe mendjes kolosale, por, mbi të gjitha njeriut, siç ishte Dervish Korkut.

Emri i këtij intelektuali të shquar, studentit të Stambollit dhe Sorbonës, vëllai i përkthyesit të Kuranit në gjuhën boshnjake, Besim Korkut, njeriut i cili fliste disa gjuhë të huaja në fillim të shekullit të kaluar, më së shpeshti përmendet në kontekstin e shpëtimit të Haggadah të Sarajevës nga Muzeu Kombëtar i Bosnjë e Hercegovinës gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Edhe pse numri i të dhënave zyrtare për vetë aktin e ruajtjes të Haggadah është mjaft i ulët, Dervish Korkut, i cili në atë kohë ishte kurator dhe kreu i biblotekës dhe muzeut, së bashku me drejtorin e atëhershëm të institucionit, Jozo Petroviç, konsiderohet si figura kryesore për shpëtimin e këtij dorëshkrimi të vjetër të vlefshëm hebre, që ka origjinën nga Spanja mesjetare.

Megjithatë, shpëtimi i Haggadah është vetëm një fragment në biografinë e shkëlqyeshme dhe të përsosur të Dervish Korkut. Së bashku me gruan e tij Servete, në Sarajevë në vitin 1942, ata shpëtuan vajzën e re hebreje, Mira Papo, prindërit e së cilës u dërguan në kamp. Familja Korkut, Mirën e morën në shtëpinë e tyre, duke e veshur atë si muslimane dhe ia vënë emrin Amira dhe i thanë asaj se ajo ishte një shqiptare që e kishin dërguar të afërmit e saj nga Mitrovica për t’i ndihmuar ata rreth punëve të shtëpisë. Kështu Mira mbijetoi dhe më vonë u bashkua me partizanët. Për shkak të këtij akti të guximshëm dhe njerëzor, Dervish Korkut dhe gruaja e tij Servete (Luzha) Korkut u shpallën “Të Drejtit midis kombeve”, njohja më e lartë shtetërore e Izraelit që u jepet jo-hebrenjve apo pjesëtarëve të kombësive të tjera që shpëtuan hebrenjtë nga shfarosja gjatë Holokaustit, duke rrezikuar jetën e tyre.

Por, Korkut njerëzimin e tij e tregoi shumë më herët. Ai u ngrit për mbrojtjen e të drejtave të hebrenjve vendas në vitin 1920, kur ngriti zërin publikisht kundër përpjekjeve të autoriteteve të atëhershme jugosllave të cilët përmes keqinterpretimit të ligjit kërkonin t’u merret e drejta e votës hebrenjve. Në koleksionet “Hebrenjët tanë” të vitit 1941, ai publikoi një shkrim me titull “Anti-Semitizmi është i huaj për muslimanët e BeH-së”, në një kohë kur hebrenjtë ishin në shënjestër të Gjermanisë së Hitlerit. Në të njëjtin vit, ai shkroi një studim ku përshkruante teorinë se romët ishin pjesë integrale e popullit musliman, ashtu që Ministria e Brendshme e asaj kohe do ta përvetësonte këtë elaborat dhe do të urdhëronte ndalimin e persekutimit të romëve.

Kamberoviç: Korkut një personalitet i rëndësishëm në historinë e BeH-së

Husnija Kamberoviç, historiane dhe profesore në Fakultetin Filozofik në Universitetin e Sarajevës, në një intervistë për Anadolu Agency (AA) tha se Dervish Korkut është padyshim një figurë shumë domethënëse në historinë e Bosnjë e Hercegovinës.

“Dervish Korkut është një figurë e rëndësishme në historinë tonë. Një njeri që ka dëshmuar humanizmin dhe përkushtimin e tij njerëzor në periudhat më të vështira”, thekson Kamberoviç.

Ajo potencoi rëndësinë e çështjes Haggadah, dhe cilat janë faktet historike në dispozicion kur bëhet fjalë për shpëtimin e librit. Kamberoviç tha se ajo që dihet me siguri është se Haggadah ishte në Muzeun Kombëtar në fillimin e luftës, ku Dervish Korkut ishte kurator dhe kreu i bibliotekës. Ai, si kreu i biblotekës, Haggadah e kishte në kartotekë deri në fund të vitit 1943, kur ia dorëzoi drejtorit të sapoemëruar Vejsil Çurçiç, pas së cilës Haggadah u depozitua në sefin e Bankës Kombëtare dhe u kthye në Muzeun Kombëtar në gusht të vitit 1945.

Qeveria e re në maj 1945, vlerësoi administratën dhe njerëzit që punuan në Muzeun Kombëtar për kontributin e tyre në shpëtimin e thesareve kulturore. Gazeta “Oslobodjenje” gjithashtu publikoi një artikull në të cilin tregohej rrëfimi ndërsa gazetarët në një paragraf veçanërisht spikatën biblotekistin kryesor që kishte bërë një punë të madhe për të ruajtur objektet në bibliotekën e Muzeut Kombëtar. Ata nuk kishin përmendur ndonjë emër, por sigurisht dihej se ai ishte Dervish Korkut.

Finci: Dervish Korkut ishte një personalitet i shquar

Kryetari i Komunitetit Hebre në BeH, Jakob Finci gjithashtu konsideron se “Dervish Korkut ishte një person i jashtëzakonshëm, dikush që fliste disa gjuhë pothuajse 100 vjet më parë, i cili përktheu, shkroi, punoi me libra dhe për libra gjatë gjithë jetës së tij, dikush që në fund të fundit si kurator i Muzeut Kombëtar shpëtoi Haggadah”. Vlen të theksohet se në vitin 1945, pas çlirimit të Sarajevës, në listën e parë të kartotekës del Haggadah e Sarajevës pa asnjë gjurmë se kush e ktheu në Muze, pasiqë kishte shumë thashetheme se ishte gërmuar nën xhaminë në Treskavica ose nën pemën e qershisë në Bjelasnicë.

Në këtë kontekst, Finci shprehet se ai gjithashtu beson në një teori të zhvilluar nga ish-kreu i bibliotekës së Muzeut Kombëtar, Kemal Bakresic, që është se Haggadah në të vërtetë e kaloi tërë luftën në Muze, fshehur mes qindra mijëra librave të tjerë në bibliotekën e muzeut.

“Nga jashtë kur e shikon është një libër shumë i padurueshëm, i lidhur në një mbulesë kartoni, në Vjenë në 1885, kur ishte duke u hulumtuar atje. Me sa duket, në të vërtetë nuk duket aspak tërheqëse. Ishte relativisht i vogël në madhësi dhe si i tillë nuk i interesonte askujt”, shpjegoi Finci.

Antifashist, tek i cili “u gjet” bashkëpunimi me pushtuesin

Kur të shihet gjthçka që ka bërë Korkut, për çka ka anuar dhe cili ishte përkushtimi i tij jetësor, mund të thuhet se ai ishte antifashist i dëshmuar. Jeta e tij, pa kurrfarë dyshimi paraqet shembullin më të ndritur të antifashizmit si vlerë univerzale.

Vështirë mund të kuptojmë se si ka mundur të ndodhë, por Dervish Korkut, pak pas përfundimit të luftës u gjet në bankën e të akuzuarve, me akuzën se ishte “bashkëpunëtor i pushtuesit”.

Në shtator të vitit 1947 filloi gjykimi kundër dijetarëve dhe intelektualëve muslimanë, me në krye Kasim efendi Dobraça, në mesin e të cilëve ishe dhe Dervish Korkut. Aktakuza i ngarkonte se Kasim Dobraça, Dervish Korkut, Kasim Turkoviç dhe Mehmed Hanxhiç “janë vënë në shërbim të Gjermanisë fashiste” dhe se pas luftës kanë formuar një organizatë ilegale. Dervish Korkut u dënua me 8 vite burg.

Mira Papo dëshiron të dëshmojë në favor të Dervish Korkut

Finci kujton se Mira Papo, e cila u shpëtua gjatë luftës nga familja Korkut dhe të cilën çlirimi e gjeti si majore të APJ-së (Armata Popullore e Jugosllavisë), kishte dëgjuar që Dervish Korkut po gjykohej dhe dëshironte të paraqitej si dëshmitare në mbrojtjen e tij.

“Sipas rrëfimeve që di, nuk mund të garantoj se është e saktë, ajo ishte thirrur për të dëshmuar në favor të Dervish Korkut, natyrisht që ajo donte ta bënte atë. Por, ajo u kërcënua se do të humbte punën e saj, se do të dëbohej. Ju mund të imagjinoni dikë që është një ushtare e re, një komuniste, dhe del në mbrojtje të një ‘bashkëpunëtori’ në gjyq pas luftës”, thotë Finci.

Sipas tij, Mira ndoshta nuk ia fali kurrë vetes dhe në vitin 1948, pasi u formua shteti, u shpërngul në Izrael, por kurrë nuk e harroi familjen Korkut. Ajo që është gjithashtu interesante është se gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë, vajza e Dervishit, Lamia, e cila asokohe jetonte atje, u evakuua në Izrael, pikërisht sepse babait dhe nënës së saj u ishte ndarë mirënjohja.

Për Dervish Korkut sot, 50 vjet nga ndarja e tij, dihet shumë pak. Është absurde që sot mund të lexosh një tekst për shpëtimin e Haggadah pa u përmendur emri i tij. Ndërkaq, Korkut është një njeri që meriton më shumë. Hisoria e jetës së tij nuk meriton asgjë më pak vëmendje nga historia e Oskar Schindler, i cili shpëtoi jetën e më shumë se një mijë hebrenjve polakë gjatë Holokaustit, për të cilin regjisori Steven Spielberg xhiroi filmin “Schindler’s List” dhe i njëjti mori shtatë Çmime Oscar.

Në fund, madhështinë e Korkutit ndoshta më së miri e ka përshkruar autori i biografisë së tij Alija Bejtiç, i cili në vitin 1974 publikoi monografinë ku për Dervish Korkut thotë: “Nëse do të jepej që mendjet e njerëzve që vdesin mund të ruheshin me një çmim të lartë, ata të mund të vazhdonin së vepruari, për të pasuruar gjeneratat që rriten, Dervish Korkut, një punëtor publik, studiues orientalist, një arsimtar dhe veçanërisht një ekspert i jashtëzakonshëm i atyre degëve të vogla të jetës dhe zakoneve të muslimanëve boshnjakë, do të ishte midis tyre”.