Gjykata më e lartë e Irakut mbështet rinumërimin manual të votave

Rezultatet zyrtare të zgjedhjeve në Irak të 12 majt janë kontestuar për shkak të polemikave dhe pretendimeve për manipulim të votave, akuza këto të hedhura poshtë nga koalicionet kryesuese

Gjykata e Lartë Federale e Irakut, autoriteti më i lartë gjyqësor i vendit, mbështeti vendimin e parlamentit për të rinumëruar manualisht votat e zgjedhjeve parlamentare të 12 majit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Gjykata, megjithatë, hodhi poshtë vendimet e tjera të parlamentit përmes të cilave anuloheshin votat e emigrantëve irakianë dhe personave të zhvendosur brenda vendit, si dhe votat nga personeli i sigurisë dhe forcat kurde Peshmerga, njoftoi televizioni shtetëror.

Gjykata shqyrtoi vlefshmërinë e vendimeve të marra nga parlamenti më herët këtë muaj pas një ankese të paraqitur nga presidenti irakian Fuad Masum.

Rezultatet zyrtare të zgjedhjeve në Irak të 12 majt janë kontestuar për shkak të polemikave dhe pretendimeve për manipulim të votave, akuza këto të hedhura poshtë nga koalicionet kryesuese.

Më 6 qershor, parlamenti votoi për ndryshimin e ligjit zgjedhor të Irakut, duke lejuar që votat të rinumërohen manualisht.

Menjëherë pas kësaj, një panel gjykues u emërua për të marrë përsipër përgjegjësitë e komisionit zgjedhor, disa anëtarë të të cilit u shkarkuan pas akuzave të shumta për mashtrim zgjedhor.

Muqtada al-Sadr, politikan me ndikim dhe klerik shiit, ka thënë se parlamentit i mungon autoriteti për të përmbysur rezultatet zyrtare të zgjedhjeve.

Sipas rezultateve zyrtare, koalicioni Sairun i Al Sadr dominoi në votimin e 12 majit duke fituar 54 ulëse në parlament.

Sairun u pasua nga koalicioni i udhëhequr nga Hashd al-Shaabi (47 vende) dhe nga Blloku i Fitores i kryeministrit Haider al-Abadi (42 vende).

Ndërkohë, Lëvizja Kombëtare e Urtësisë e Ammar al-Hakim fitoi 19 vende në kuvend.