Gjykata Kushtetuese ka miratuar marrëveshjen e arritur mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane në lidhje me emigrantët.
Burime kofidenciale për Euronews Albania bëjnë me dije se marrëveshja është miratuar nga ana e Kushtetuese, ndërkohë që vendimi pritet të bëhet publik në orën 15:30.
Do të jetë kryetarja e Gjykatës Kushtetsues Olta Zaçaj ajo e cila pritet të mbajë një konferencë me gazetarët, ku dhe do të komunikoj dhe arsyet ligjore të kalimit të marrëveshjes.
Diferenca ka qenë shumë e ngushtë me 1 votë, ku nga 9 anëtarë të Gjykatës Kushtetuese kanë votuar pro marrëveshjes 5 prej tyre.
Ky vendim i hap rrugë ratifikimit në parlament të marrëveshjes, ku më pas do të kemi dhe ngritjen e dy qendrave të pritjes së emigrantëve në Shëngjin.
Në 13 dhjetor, Gjykata Kushtetuese mori në shqyrtim kërkesën e bërë nga 30 deputetë të grupit Berisha-Bardhi lidhur me marrëveshjen Itali-Shqipëri, e cila konsiderohej nga ata anti-kushtetuese.
Marrja në shqyrtim e kërkesës nga Gjykata Kushtetuese, solli automatikisht pezullimin e ratifikimit të marrëveshjes në Kuvend, gjë që ishte planifikuar të bëhen në seancën plenare të 14 dhjetorit.
Kryeministri, Edi Rama nuk preferoi të jepte komente, duke thënë se një gjë e tillë është në të drejtën e Gjykatës Kushtetuese.
Drafti për marrëveshjen për emigrantët, u miratua në Qeverinë italiane në 5 dhjetor dhe u dërgua në parlamentin italian për miratim. Më 6 nëntor 2023 kryeministri Edi Rama dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni nënshkruan në Romë marrëveshjen për ndërtimin në Shqipëri të dy qendrave për strehimin e emigrantëve.
Sipas marrëveshjes porti i zbarkimit do të jetë Shëngjini, ndërsa Gjadri do të jetë kampi ku do të ndërtohet vendqëndrimi i tyre. Kapaciteti maksimal pritës është 3 mijë shtretër.