Gjykata Kushtetuese e Kosovës bëhet me pesë gjykatës të rinj

Ceremonia e dhënies së betimit para presidentit Thaçi është mbajtur sot në prani të kryetares së Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Arta Rama, bëhet e ditur nga kabineti i presidentit të Kosovës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dekretuar anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në pajtim me propozimin e Kuvendit të Kosovës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ceremonia e dhënies së betimit para presidentit Thaçi është mbajtur sot në prani të kryetares së Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Arta Rama, bëhet e ditur nga kabineti i presidentit të Kosovës.

Gjykatësit e rinj të Gjykatës Kushtetuese janë Bajram Ljatifi, Safet Hoxha, Remzije Istrefi–Peci, Radomir Laban dhe Nexhmije Rexhepi, të cilët paraprakisht kaluan të gjitha procedurat në pajtim me ligjet që janë në fuqi. Emërimin e tyre e shqyrtoi Komisioni i veçantë për zgjedhjen e kandidatëve për gjykatës të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe është zbatuar votim i fshehtë në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës.

Për herë të parë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vetëm gjykatës vendorë. Gjykata Kushtetuese përbëhet nga nëntë gjykatës dhe mandati i tyre zgjat nëntë vjet pa mundësinë e vazhdimit.