Forcimi i bashkëpunimit gjyqësor ka qenë në fokus të takimit të ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj dhe homologut të saj italian Alfonso Bonafede në Romë,raporton Top Channel.
Pasi kanë shprehur vlerësimet e tyre për bashkëpunimin midis dy qeverive, ministrat janë dakordësuar për zbatimin e një plani të përbashkët masash në kuadër të zbatimit të marrëveshjes dypalëshe të nënshkruar në fund të vitit 2017.
Për këtë qëllim javën e ardhshme do të nisin nga puna në Tiranë ekipet e përbashkëta të ekspertëve të të dyja ministrive respektive.
Zbatimi i plotë i Reformës në Drejtësi, që tashmë po jep rezultatet e para, reforma në sistemin penitenciar, drejtësia për të miturit dhe forcimin e luftës kundër korrupsionit, janë shtyllat kryesore të bashkëpunimit bilateral, të parashikuar në marrëveshjen kuadër midis dy ministrive.
Nga ana e tij ministri Bonafede u shpreh se për Italianë është e rëndësishme të ketë një partner të sigurt në përballimin me sukses të sfidave të përbashkëta. Ai vlerësoi reformat që ka ndërmarrë Shqipëria dhe shprehu gadishmërinë e Qeverisë Italiane për të dërguar në Shqipëri ekspertë të fushës për të mbështetur dhe asistuar në zbatimin e reformës në drejtësi.
Ministri italian ka shprehur dëshirën për të vizituar edhe personalisht Shqipërinë, në vijim të kontakteve institucionale.
Vizita dy ditore e ministres së Drejtësisë dhe Prokurores së Përgjithshme në Itali u organizua nga misioni i asistencës së Bashkimit Europian PAMECA 5, në kuadër të mbështetjes që ky mision u ofron institucioneve të drejtësisë në Shqipëri.