Gjermania thirrje për zgjidhje politike në Venezuelë

"Ne nuk mendojmë se dhuna ofron një rrugë përpara. Ne kemi nevojë për një zgjidhje politike dhe jo ushtarake", tha ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas

Gjermania bëri paralajmërim kundër një konflikti të armatosur në Venezuelë dhe u bëri thirrje palëve të ndërmarrin hapa politikë për të hapur rrugën për një zgjidhje paqësore të krizës, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Ne nuk mendojmë se dhuna ofron një rrugë përpara. Ne kemi nevojë për një zgjidhje politike dhe jo ushtarake”, tha ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas në një postim në rrjetin social Twitter.

Ai riafirmoi mbështetjen e Gjermanisë për udhëheqësin e opozitës Juan Guaido, për të filluar një proces politik që çon në zgjedhje të lira dhe të drejta në vend.

Komentet e kryediplomatit gjerman erdhën në vazhdën e tensioneve në Venezuelë pas raportimeve për një përpjekje për grusht shteti kundër presidentit Nicolas Maduro.

Më herët, kreu i opozitës Juan Guaido publikoi ​​një video në Twitter në të cilën ai gjendej pranë një grupi ushtarësh, duke bërë thirrje për kryengritje për t’i dhënë fund “uzurpimit” të presidentit Maduro.

Maduro, nga ana tjetër, u bëri thirrje qytetarëve të dalin në rrugë “për të mbrojtur atdheun dhe rendin kushtetues”.

Venezuela është tronditur nga protestat që nga 10 janari, kur Maduro u betua për një mandat të dytë pas zgjedhjeve të bojkotuara nga opozita.

Tensionet u përshkallëzuan kur Guaido, i cili kryeson Asamblenë Kombëtare të Venezuelës, u vetëshpall si president i përkohshëm më 23 janar, një veprim i cili u mbështet nga Shtetet e Bashkuara dhe shumë vende të Evropës dhe Amerikës Latine.