Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka uruar kosovarët për mbështetjen e Gjermanisë në procesin e liberalizimit të vizave për kosovarët, transmeton Anadolu Agency (AA).
Nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Haradinaj tha se Gjermania edhe njëherë konfirmoi mbështetjen e Kosovës për liberalizimin e vizave.
Ai parafrazon fjalët e ministrit të Brendshëm gjerman Horst Seehofer, i cili në mediumin gjerman Frankfurter Allgemeine Zeitung ka thënë se e konsideron “të justifikueshme kërkesën e kosovarëve për të lëvizur të lirë”, dhe këmbëngul që Kosova ka përmbushur kriteret e nevojshme për këtë proces.
“Një mbështetje të madhe këtij procesi i ka dhënë edhe deputeti i Partisë së Gjelbër Manuel Sarrazin, derisa në korrik të 2018-tës, Komisioni i BE-së konfirmoi se Kosova ka përmbushur të gjitha kërkesat, e po të njëjtin vlerësim vendi e mori edhe nga Parlamenti Evropian. Tani Kosova ka krijuar ekipin e saj për të bashkëpunuar me Qeverinë gjermane, që ky proces të finalizohet sa më parë. Kosovarët, tashmë e kanë marrë PO-në e madhe nga Gjermania, për ta jetësuar të drejtën e tyre për lëvizje të lirë”, shkroi Haradinaj në Facebook.
Mbështetja nga ministri Seehofer për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën e kishte marrë edhe në një takim që kishin zhvilluar pas Samitit të Berlinit më 30 prill.