“Gjermania nxitëse e proceseve integruese në Ballkan”

Ruçi shprehu gjithashtu vlerësimin dhe mirënjohjen për Gjermaninë si një partner strategjik i Shqipërisë, si burim lidershipi në rajon dhe si nxitëse e proceseve integruese në Ballkan

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, ka zhvilluar një takim me një grup deputetësh dhe ish-deputetësh të Bundestagut të Gjermanisë, të kryesuar nga ish-kryetarja e Budestagut, Rita Sussmuth, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kryeparlamentari Ruçi gjatë takimit me delegacionin gjerman shprehu mirënjohjen ndaj popullit, Busdestagut, qeverisë dhe institucioneve gjermane për mbështetjen e Shqipërisë gjatë tranzicionit dhe gjatë procesit të integrimit evropian.

“Ruiçi shprehu besimin se kjo mbështetje do të vazhdojë edhe gjatë fazës vendimtare të përgatitjes për hapjen e negociatave. Ne jemi të përkushtuar të punojmë ngushtë me Gjermaninë, në mënyrë që të arrijmë progres të mëtejshëm në reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, si dhe të trajtojmë probleme specifike si aplikimet e pabaza për azil të shtetasve shqiptarë, trafiqet e paligjshme të të gjithë llojeve e të tjera”, theksohet në njoftimin nga Kuvendi i Shqipërisë.

Gjithashtu Ruçi i kërkoi Sussmuth dhe parlamentarëve dhe ish-parlamentarëve gjermanë, gjatë takimit të mbajtur pa praninë e mediave, të rrisin ndikimin e tyre për zgjerimin e mbështetjes për Shqipërinë.

“Kryetari i Kuvendit shprehu gjithashtu vlerësimin dhe mirënjohjen për Gjermaninë si një partner strategjik i Shqipërisë, si burim lidershipi në rajon dhe si nxitëse e proceseve integruese në Ballkan, në kontekstin bilateral, por edhe ne kuadër të Procesit të Berlinit”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

Ndërsa theksohet se ish-kryetarja e Budestagut gjerman, Sussmuth, dhe delegacioni që e shoqëronte vlerësuan arritjet e Shqipërisë, të cilat sipas tyre bëhen më të dukshme e të prekshme kur shikohen nga afër.

Delegacioni nga Gjermania ka vënë në dukje se skepticizmi për rezultatet e Shqipërisë në proceset integruese po zhduket dhe “po ia le vendin besimit të fuqishëm se Shqipëria po hedh hapa të sigurta e të qëndrueshme drejt pranimit në familjen europiane”.