Gjermania e Franca ndërmjetësojnë për Kosovën, Kurti: Policia ikën kur të hiqen bandat

Gjermania dhe Franca po kërkojnë të ndërmjetësojnë për fashitjen e tensioneve në Kosovë.

Për këtë arsye, nga sa pohoi zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Hebelstreit, në kuadër të samitit të dytë të Komunitetit Politik Europian që zhvillohet në Moldavi, kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe presidenti francez Emmanuel Macron do të zhvillojnë bisedime me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani si edhe me kreun e shtetit serb, Aleksandër Vuçiç.

Sipas këtij të fundit, hapi i parë për uljen e tensioneve do të ishte tërheqja e kryetarëve të komunave nga veriu. Largimi i njësive policore ka qenë sakq një kërkesë e shtruar me herët nga Lista Serbe, të cilës Kurti, ia dha përgjigjen sot.

“Situata e tensionuar në veri të vendit është pasojë e “grupeve të armatosura, të cilat shtiren si protestues, e në fakt janë banda kriminale” të Serbisë. Unë natyrisht që mund ta mendoj zvogëlimin e pranisë së Policisë së Kosovës në ndërtesat e komunave në veri, por kjo do të bëhet kur të largohen këto banda kriminale të nacionalizmit e shovinizmit të djathtë ekstrem, të cilat e adhurojnë Milloshevicin dhe Putinin. Ato, ose le të shkojnë në Serbi, ose duhet t’i çojmë në burg”, tha Kurti.

E ndërsa diplomacia kërkon zgjidhje, në terren incidentet nuk reshtin. Dy shqiptarë u sulmuan sot nga një grup serbësh në veri të Mitrovicës. Policia e Kosovës nuk ka mundur t’i arrestojë ndërsa hetuesit po marrin në pyetje të lënduarit për zbardhjen e ngjarjes.

Më herët, dhjetëra qytetarë iu përgjigjën thirrjes për protestë tek ura mbi lumin Ibër në Mitrovicë, pavarësisht apeleve të institucioneve të Kosovës. Personat e mbledhur kanë kënduar këngë si “Besa besë”, “jo nuk ndahet Mitrovica”, si dhe kanë brohoritur “UÇK”.