Gjermani: Grupe kriminale shqiptare, punojnë për llogari të mafies italiane

Grupe të organizuara kriminale me prejardhje nga Shqipëria punojnë në Gjermani, për llogari të mafies italiane. Pohimin e ka bërë qeveria gjermane pas kërkesës së Të Gjelbërve mbi ndikimin që mafia italiane ka në vend.

Ndër të tjera në përgjigjen e saj thuhet: “Mendohet gjithashtu se disa anëtarë të Krimit të Organizuar Italian bashkëpunojnë me korrierë të lëndëve narkotike dhe grupime që kanë prejardhje shqiptare. Kjo prek nga njëra anë sektorin e trafikimit të produkteve me kanabis, të cilat prodhohen kryesisht në Shqipëri.

Veç kësaj vihet re një ndarje pune në trafikimin e lëndëve narkotike (kokainës) nga Amerika e Jugut për në Europë dhe transportin e mëtejshëm brenda Europës. Pjesëtarët e Krimit të Organizuar Italian organizojnë blerjen e kokainës në vendet përkatëse. Personat me prejardhje shqiptare dhe strukturat e tyre marrin përsipër detyra logjistike duke e transportuar mallin ilegal nga portet detare të Europës dhe duke e shpërndarë atë më tej në Evropë”, thuhet në raportin e cituar nga DW, raporton Top Channel.

Përveç shqiptarëve, mafia italiane bashkëpunon në Gjermani me edhe me grupime rokerësh ose grupe të ngjashme si edhe me banda të krimit të organizuar ruso-eurazik. Sipas një raportit policor të Ministrisë së Punëve të Brendshme gjermane, shqiptarët zënë vendin e katërt ndër të huajt që kapen nga policia gjermane për vepra penale të lidhura me krimin e organizuar. Sipas qeverisë gjermane, organizata mafioze ‘Ndrangheta, e cila konsiderohet nga më të rrezikshmet, ka 800-1000 anëtarë në Gjermani.