“Gjatë fushatës zgjedhore në Kosovë nuk janë respektuar masat anti-COVID-19”

Organizata Demokracia në Veprim (DnV) ka monitoruar nga fillimi fushatën zgjedhore në shtatë komuna të mëdha të vendit dhe dy komuna me shumicë serbe...

Në tubimet publike të partive politike që garojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit nuk është respektuar distanca sociale, bartja e maskave dhe është tejkaluar numri i lejuar për pjesëmarrje në ambiente të mbyllura dhe të hapura, sipas një organizatë joqeveritare, raporton Anadolu Agency (AA).

Këto përfundime erdhën nga organizata Demokracia në Veprim (DnV), e cila ka monitoruar fushatën zgjedhore në shtatë komuna të mëdha të vendit dhe dy komuna me shumicë serbe, që nga fillimi i saj më 3 shkurt.

Ngadhnjim Halilaj nga DnV tha se nga monitorimi i 98 aktivitete të subjekteve politike, ku pjesa mbizotëruese e këtyre aktiviteteve zgjedhore kanë qenë tubime publike, shqetësues mbetet fakti që subjektet politike vazhdojnë të mos respektojnë masat anti-COVID, ndërsa inspektoratet komunale në anën tjetër nuk janë duke u angazhuar për të siguruar zbatimin e plotë të këtyre masave.

Halilaj tha se trendet e kësaj fushatë zgjedhore në shumë aspekte mbeten të njëjta me fushatën e mëparshme, përfshirë përfaqësimin gjinor që, sipas tij, mbetet tejet i ulët.

“Përfaqësimi gjinor mbetet tejet i ulët, ku gratë përbëjnë vetëm 25 për qind të pjesëmarrësve në aktivitetet zgjedhore të monitoruara, ndërsa vetëm 27 për qind ka pasur gra që i janë adresuar elektoratit”, theksoi Halilaj, i cili shtoi se prani e ulët e grave është shënuar edhe në media gjatë kësaj kohe.

DnV gjithashtu ka evidentuar edhe akuza të ndërsjella midis partive politike, ku mbi baza partiake dhe elemente të gjuhës së urrejtjes, sipas gjetjeve, janë evidentuar në 15 për qind të aktiviteteve zgjedhore të monitoruara.

“Në gjashtë ditët e fushatës zgjedhore nga aktivitetet e monitoruara, kemi hasur që temat më të përfolura nga kandidatët për deputetë kanë qenë zhvillimi ekonomik, bujqësia, punësimi, sigurimi shëndetësor, arsimi, pensionet dhe mirëqenia”, theksoi Halilaj.

Sa i përket kostove, DnV ka pyetur subjektet politike para fushatës mbi planifikimet e tyre financiare për këtë fushatë, por sipas tyre vetëm Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike Turke e Kosovës (KDTP) dhe Partia Fjala “kanë shfaqur gatishmërinë e tyre për të treguar transparencë në financimin dhe shpenzimet e tyre”.

Demokracia në Veprim u ka rekomanduar të gjitha subjekteve politike garuese që të zbatojnë në mënyrë rigoroze masat anti-COVID-19 gjatë kohës sa po zhvillojnë aktivitete zgjedhore; t’i publikojnë programet e tyre që të jenë më lehtë të qasshme për qytetarët; si dhe t’i bëjnë publike shpenzimet e tyre gjatë fushatës.

Fushata zgjedhore do të mbyllet të premten, më 12 shkurt, ndërsa e shtuna do të jetë heshtje zgjedhore, kurse zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të pestat me radhë, mbahen më 14 shkurt.